Bushati në OKB: Diversiteti, pjesë integrale dhe pasuri e shoqërisë sonë

27/09/2018 13:35

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehu angazhimin e Shqipërisë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, ku tha se diversiteti është pjesë integrale dhe pasuri e madhe e shoqërisë sonë.

Ai mbajti fjalën në takimin e nivelit të lartë “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut: Një mjet parandalues në arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm” në selinë e OKB-së.

“Ne kemi integruar të drejtat e njeriut në veprimtarinë tonë diplomatike dhe politike në rajonin tonë, në Evropën Juglindore, në kontekstin e agjendës sonë evropiane për reforma, si dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Diversiteti është një pjesë integrale dhe një pasuri e madhe e shoqërisë sonë”, tha ministri Bushati.

Ministri shtoi më tej se të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat e minoriteteve, mund të sigurohen vetëm në një shoqëri ku dialogu, mirëkuptimi dhe diversiteti kulturor shihen si pasuri.

Shqipëria ka marrë iniciativën për zbatimin e Objektivit 16 të Agjendës së OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030, lidhur me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe institucione të forta demokratike. “Ne kemi bërë përfaqësimin gjinor dhe buxhetimin një prioritet, i cili na bën një vend shembull për barazinë gjinore në rajon dhe më gjerë”, tha Bushati.

Kuadri ligjor i Shqipërisë dhe veprimi politik në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve janë plotësisht në përputhje me praktikat më të përparuara evropiane dhe ndërkombëtare në këtë fushë, përfundon ministri.

Takimi i nivelit të lartë “Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut: Një mjet parandalues në arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm” u zhvillua në nivel ministrash dhe këtë vit përkonte me 70-vjetorin e Deklaratës.

Ndërkaq, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri Bushati zhvilloi disa takime bilaterale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA