Vetingu i politikanëve, në Kuvend nis shqyrtimi i nismës së opozitës

26/09/2018 12:32

Në një mbledhje të përbashkët të Komisionit të Ligjeve si dhe e Këshillit për Legjislacionin, ka filluar procedura për shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, nismë e propozuar nga 44 deputetë të grupeve parlamentare PD, LSI dhe PR, për atë që njihet gjerësisht si nisma e opozitës për vettingun politik.

Sipas opozitës nuk mund të ketë më trajtim special për politikanet.

“Propozimi ynë është fare i thjeshtë: vetting me të njëjtin formulim ligjor si për prokurorët, gjykatësit dhe policët. Trajtim special për politikanët nuk mund të ketë më! Ky shtet do mësojë t’i trajtojë të gjithë njësoj: si policin e thjeshte, si ministrin e Brendshëm! Ky është parimi që kemi në Kushtetute! Ky është parimi i Europës ku duam të bëjmë pjesë”, thuhet në një deklaratë të PD, ku shtohet se “Ajo që ne kemi propozuar është amendimi i Kushtetutës për të sanksionuar vetingun politik. Pastaj duhet një ligj për të përcaktuar detajet si do realizohet vetingu. Me miratimin e amendimit kushtetues ne do i paraqesim Kuvendit propozimin tonë ligjor si do bëhet vetingu”.

Sipas opozitës parimet kryesore ku do të bazohet vetingu politik janë:
1. Do të jetë një proces krejtësisht i pavarur dhe i palidhur dhe i pandikuar nga vetingu i drejtësisë.
2. Do të jetë një model shumë më i thjeshtë dhe i qartë, afër modelit që u përdor për dekriminalizimin.
3. Do të kryhet nga një strukturë profesionistësh krejtësisht të pavarur nga politika.
4. Nuk mund të jetë kurrsesi një strukturë parlamentare dhe aq më pak një strukturë e përbërë nga përfaqësues partiakë: do ishte absurde dhe tallëse: politikanët do të jenë subjekt i vetingut dhe jo zbatues të vetingut.
5. Do të ketë mbikqyrje ndërkombëtare.

Top Channel