Top Story/ Sa herë ka mashtruar Arben Ahmetaj me punësimin në Shqipëri

26/09/2018 21:37

Top Story duke iu referuar kryesisht deklaratave të bëra në parlament, premtimeve gjatë fushatave elektorale, konferencave për shtyp, intervistave të transmetuara në media dhe duke i testuar ato për vërtetësi dhe saktësi, nxori në pah dallimin mes politikanëve që gënjejnë për t’u zgjedhur, dhe atyre që vazhdojnë të gënjejnë edhe pasi janë zgjedhur.

Përgjegjësia morale e këtyre të fundit është e madhe.
Arben Ahmetaj, është rasti më tipik i një politikani që ka mashtruar pasi u zgjodh Ministër i Financave, duke trullosur jo pak herë publikun me shifrat e punësimit.

1. “Në katër vitet e fundit, në ekonomi janë krijuar 260 000 vende të reja pune”, – Deklaroi Ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Sipas statistikave në katër vitet e mandatit të parë “Rama 1”, janë hapur 209 mijë vende të reja pune dhe jo 260 mijë vende.

Në 21 janar 2017. Ahmetaj shkon edhe më tej, pasi deklaron se janë hapur mbi 300 mijë vende të reja pune, ndërsa INSTAT publikon vetëm 209 mijë vende pune.

2. “Ulje rekord e papunësisë në të gjitha vitet e tranzicionit, pra 12.5%”. – Sipas të dhënave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, rezulton se në vitet 1995 me 11% dhe në 1996 me 10.7%, shënojnë nivelet më të ulëta historike të papunësisë për të gjithë vitet e tranzicionit, Sot niveli i papunësisë është 12.5%.
3. ”E mbyllët mandatin me 423 mijë vende pune, ne e mbyllëm mandatin e parë me 660 mijë vende pune”, – Demokratët e mbyllën mandatin me 454 mijë të punësuar dhe jo 423 mijë siç deklaron Ahmetaj. Ai rriti shifrat e qeverisë Socialiste, duke thënë se e mbylli mandatin e parë qeverisës me 660 mijë vende pune, ndërkohë u mbyll me 652 mijë vende pune.

Ndodh që pas shumë mashtrimeve, Ahmetaj por dhe politikanë të tjerë rreken të tregojnë të vërtetën vetëm kur në duar kanë ndonjë dokument zyrtar.

1. “Janar – Shkurt për vitin 2018 ,janë krijuar në total 4.242 ndërmarrje”, – Deklaron Arben Ahmetaj, Ministër i Financave. Kjo deklaratë u konfirmua edhe nga statistikat e Qendrës Kombëtare të Biznesit ku thuhet: Regjistrime të reja për periudhën Janar – Shkurt 2018 janë 4.242 subjekte.

2. “15 mijë familje që trajtoheshin më parë me ndihmë ekonomike të pjesshme, sot trajtohen me ndihmë ekonomike të plotë, deri në 80 mijë lekë në muaj, dhe në bazë të kritereve ndihma ekonomike, sot shkon deri në 110 mijë lekë në muaj”, – Deklaron Kryeministri Edi Rama. Kjo deklaratë është vërtetuar nga shifrat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë e Mbrojtjes Sociale.

3. “Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, nuk ka të drejtë të emëroj as të shkarkoj drejtues prokurorie. Neni 160 e ndalon prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, të marrë vendimin që ka marrë sot. Prokurorja e Tiranës do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore” – Kjo deklaratë është e vërtetë sepse neni 160, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” thotë se: Prokurori i përgjithshëm i Përkohshëm, nuk ka kompetencë për transferimin, shkarkimin, emërimin, pezullimin e deri urdhërimin për ndjekje penale të prokurorëve”.

4. “Janë 10 036 familje që kanë përfituar përherë të parë ndihmë ekonomike, që deri dje përjashtoheshin”, – Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, janë 10 036 familje që janë përfshirë, për herë të parë në skemën e ndihmës ekonomik.

Top Channel