Nuk janë të pakta për nga numërimi deklaratat dhe premtimet e pambajtura të kryeministrit të vendit Edi Rama, i cili shfrytëzon fushatat elektorale, intervistat apo konferencat për shtyp për t’i bërë ato.
Duke u nisur nga kjo, “Top Story” sjell disa nga fjalimet e tij të verifikuara, ku si armë përdor manipulimin e opinionit publik.
Premtim – “Energjia është ulur për familjarët, është rritur për bizneset”.
Përpara vitit 2015, konsumatorët familjarë, paguanin 2 310 lekë në muaj nëse shpenzonin 300 KWH. Pas reformës, për të njëjtën sasi kilovatësh, konsumatorët familjarë paguajnë 2 850 lekë në muaj.
Premtim -“Sa deputet të tjerë janë larguar nga dekriminalizimi? Unë e di përgjigjjen. Dy deputetë të LSI-së, dy deputetë të PDIU-së dhe asnjë deputet i PS-së”.
Deputeti Arben Ndoka dhe Armando Prenga ishin të prekur nga ligji i dekriminalizimit. Prokuroria kishte kërkuar heqjen e mandatit të tyre, pikërisht se ishin të prekur nga ky ligj, por dy deputetët zgjodhën të japin dorëheqjen para kohe.
Një tjetër formë e mashtrimit ose manipulimit është kur një politikan bën një premtim që nuk varet tërësisht nga ai. Hapja e negociatave është përsëritur disa herë nga kryeministri Edi Rama që nga viti 2015, por ky është një proces që varet edhe nga faktorë të jashtëm, pasi janë vendet anëtare të Bashkimit Europian që vendosin për këtë çështje.
Rama në vitin 2015: “Vitin tjetër do të hapen negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë”.
Kjo nuk ndodhi.
Rama në mars 2018 “Në fund të qershorit do t’ia dalim, brenda këtij viti do të hapen negociatat me Shqipërinë”.
Rama në maj 2018 sërish thotë që në fund të qershorit do të kemi rezultat pozitiv. Kjo është e pamundur, pasi Këshilli i Europës do të mblidhet në qershor 2019, për të marrë vendim për hapjen e negociatave, mes BE-së dhe Shqipërisë.
Top Channel