Meta takon presidentin polak në Nju Jork, turizmi dhe marrëdhëniet dypalëshe në fokus

26/09/2018 10:13

Presidenti Ilir Meta është takuar në Nju Jork me homologun e tij polak, Andrzej Duda, në kuadër të pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ata ndanë mes tyre mendimin e njëjtë lidhur me marrëdhëniet shumë miqësore të bashkëpunimit mes dy vendeve prej dekadash, si dhe nevojën për forcimin e intensifikimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen.

Mbi të gjitha është vlerësuar rritja e interesit dhe bashkëpunimit në fushën e turizmit, si dhe numri gjithnjë e në rritje i turistëve polakë që vizitojnë Shqipërinë.

Meta ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Polonia na jep mbi procesin e integrimit europian të vendit tonë dhe çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Gjatë bisedës u vlerësuan gjithashtu mbështetjet reciproke për kandidaturat e të dyja vendeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Presidenti polak, Duda pranoi me kënaqësi ftesën e homologut të tij për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Top Channel