Ekonomia u rrit 4.3 për qind. INSTAT: Rritja nga industria, energjia dhe turizmi

26/09/2018 14:30

Instituti i Statistikave raportoi se ekonomia shqiptare u rrit me 4.3 për qind në tremujorin e dytë të vitit, e ndihmuar nga situata e mirë energjetike dhe rritja e prodhimit industrial.

“Kontributin kryesor në këtë rritje e dhanë degët e industrisë, energjisë dhe ujit me 2.37 pikë përqindjeje, ku energjia ka dhënë ndikimin kryesor. Gjithashtu, kontribut në rritje ka dhënë edhe grupi i nëndegëve tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor, të hoteleri-turizmit”, tha Delina Ibrahimi, drejtoreshë e INSTAT-it.

Në 3 vitet e shkuara, rritja ekonomike ka ardhur kryesisht nga investimet e reja në ndërtim. Por, këtë vit profili i saj ka ndryshuar. INSTAT raportoi se në tremujorin e dytë, ndërtimi u tkurr me 2.16 për qind krahasuar me vjet, ndërkohë që ekonomia u mbështet më shumë nga zgjerimi i konsumit të familjeve.

“Konsumi përfundimtar i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3.35 për qind. Konsumi përfundimtar i qeverisë shfaqi rënie me 3.43 për qind. Komponenti i formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 1.48 për qind”, deklaroi më tej Delina Ibrahimi.

Ky është tremujori i dytë rresht, që ekonomia rritet mbi 4 për qind, duke tejkaluar pritshmëritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, por edhe Bankës Botërore.

Të dyja këto institucione prestigjioze kanë parashikuar një ngadalësim të rritjes ekonomike rreth nivelit 3.5 për qind gjatë këtij viti, për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha, gazsjellësit transadriatik TAP dhe kaskadës së Devollit.

Por, për gjysmën e parë të vitit, rritja faktike e ekonomisë sipas INSTAT-it është 4.4 për qind, gati 1 pikë të plotë përqindjeje mbi parashikimet e FMN-së dhe Bankës Botërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA