Denoncimi i oficerit Nuhu, reagon policia: Nuk ka qenë në detyrë

26/09/2018 19:42

Policia e Shtetit ka reaguar menjëherë në lidhje me denoncimin e bërë publik nga oficeri Emiljano Nuhu, i cili dëshmoi se si është kërcënuar nga deputeti socialist Rrahman Rrahja për të mbyllur hetimin për djalin e tij, i cili akuzohej nga një vajzë për përdhunim.

Policia sqaron lëvizjet e oficerit që prej vitit 2009, ndërsa thotë se ai ka braktisur detyrën që prej datës 13 shtator dhe më 21 shtator ka qenë një tjetër efektiv në detyrë.

Shtetasi Emiljano Nuhu është rekrutuar në Policinë e Shtetit në vitin 2009. Ai ka qenë së pari, efektiv i rolit bazë në Policinë e Tiranës. Në maj 2017, pasi fitoi gradën “Nënkomisar” u emërua në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Në këtë detyrë ka qëndruar vetëm 4 muaj, deri në shtator 2017, pasi iu drejtua me kërkesë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për transferim, me pretendimin se “ndihej i rrezikuar për shkak të detyrës”. Në shtator 2017 është transferuar në Komisariatin e Krujës, ku ka qëndruar deri në Gusht 2018. Nga muaji Janar deri në Korrik 2018, ai ishte i shkëputur nga marrëdhëniet e punës, pasi ishte në Akademinë e Sigurisë, në vitin e dytë. Me kërkesë të tij, në datë 15.08.2018, me pretendimin se “ndihej i kërcënuar për shkak të detyrës” është transferuar në Drejtorinë Vendore të Policisë në Berat. Në këtë detyrë ka qëndruar deri në datë 13.09.2018 dhe më pas nuk është paraqitur, por ka braktisur detyrën duke mos dorëzuar sipas procedurës standarde armatimin dhe materialet operative”, thuhet në reagim.

Më tej, policia thotë se nga “verifikimet policore dhe në bashkëpunim me agjencitë homologe, ky shtetas ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme drejt Kosovës, pa u regjistruar në sistem dhe duke braktisur detyrën. “Në datë 15 shtator 2018 ka udhëtuar me avionin e linjës Prishtinë–Verona, Itali. Ndryshe nga sa thotë oficeri Emiljano Nuhu në intervistën mediatike, se në datën 21 korrik 2018 është kërcënuar në zyrën e tij, në këtë datë oficer i gatshëm në Komisariatin e Krujës dhe që ka kryer veprimet ka qenë një punonjës tjetër policie, me iniciale G.Ç”, thuhet në reagim.

Më tej, policia konfirmon takimin e oficerit me shtetasit R.Rr. dhe R.Rr. në një lokal në Tiranë, por thotë se ata kishin njohje të mëparshme dhe në bazë të komunikimit në “Ëhatapp”, sipas policisë rezulton se nuk ka pasur kërcënime.

“Takimi mes oficerit Emiljano Nuhu dhe shtetasit e pretenduar R.Rr. dhe R.Rr. në një lokal në Tiranë ka ndodhur. Por nga verifikimet e kryera pas kallëzimit të bërë nga Emiljano Nuhu në Komisariatin nr. 6 në Tiranë dhe më pas referuar në Prokurorinë e Tiranës, rezulton se ata njiheshim shumë më herët, që në kohën kur Nuhu ishte me detyrë në Policinë e Tiranës. Komunikimet e kryera midis tyre përmes aplikacionit ‘Ëhatsapp’ kanë qenë miqësore dhe pa kërcënime. Këto komunikime gjenden të administruara në dosjen hetimore. Gjithashtu në kallëzimin e tij, ku pretendon se është kërcënuar, Emiljano Nuhu i referohet vetëm 2 shtetasve të lartpërmendur, të cilët sipas tij, i janë prezantuar si të afërm të autorit të dyshuar që ka kryer përndjekjen, por nuk përmend asnjë prej emrave që deklaron sot në intervistën në media. Emra, të cilët në asnjë rast nuk i ka përmendur në komunikimet me eprorët e tij”.

Policia thotë më tej se SHÇBA po kryen verifikim dhe hetim të thelluar për gjithë pretendimet e ngritura nga oficeri Emiljano Nuhu në letrën e bërë publike si dhe në intervistën e dhënë prej tij. Në përfundim të këtyre hetimeve do të ketë një njoftim publik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA