Antikorrupsioni në Shkodër, Gjonaj: Largime nga puna, e kallëzime penale

26/09/2018 12:47

Veprimtaria e Task Forcës Antikorrupsion ka vijuar me kontrolle dhe inspektime në institucionet që ofrojnë shërbime ndaj publikut, sipas një skeme të ndërtuar mbi bazën e denoncimeve të bëra nga qytetarët, në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqeduam.al.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë një deklarate për mediat bëri publike rezultatet e arritura nga Task Forca Antikoprrupsion për muaji shtator.

Ajo ka bërë me dije se vetëm në dy javët e para të muajit shtator, Task Forca Antikorrupsion,e ka përqendruar veprimtarinë e saj me inspektime të detajuara në disa institucione të rrethit të Shkodrës si: ZVRPP Shkodër; ALUIZNI Drejtoria Rajonale Shkodër; Spitali Rajonal Shkodër; Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Rajonit Verior
Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës Shkodër.

E në në raportet përfundimtare të kontrolleve kanë rekomanduar 21 Masa disiplinore, prej të cilave 9 largime nga puna, konkretisht për:
5 specialistë në Zyrën Vendore të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër;
1 përgjegjës sektori dhe 1 specialist në ALUIZNI Shkodër;
Ashtu si dhe për rastin e bërë publik dje në ZVRPP Shkodër, në të cilën u ndalua Regjistruesi dhe juristja, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës Qëndrore u vendos shkarkimi i menjëhershëm i Regjistruesit Shkodër dhe specialistes së kësaj zyre.

Nga inspektimet e kryera me grupe ndërinstitucionale, janë evidentuar shkelje dhe abuzime të cilat përmbajnë elementë të veprave penale të shpërdorimit të detyrës, për të cilët janë kryer kallëzimet penale në organin e Prokurorisë së Shkodrës.

Konkretisht, janë kryer kallëzime penale për punonjësit e niveleve të ndryshme, ndër të cilët janë:

Ish- Drejtori i Spitalit Rajonal Shkodër, i cili dyshohet të ketë kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës, me veprime që kanë cenuar garantimin e ushtrimit të veprimtarisë së institucionit në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, shkelje të rënda në procedurat e evadimit të mbetjeve spitalore si dhe garantimin e furnizimit me medikamentet e nevojshme.

Ish – Drejtori i ALUIZNI-t Shkodër, 3 ish – përgjegjës sektori, 1 përgjegjës sektori dhe 1 specialist, të këtij institucioni, të cilët dyshohen të kenë kryer në bashkëpunim
veprën penale të shpërdorimit të detyrës, duke legalizuar objekte në mos respektim të procedurave për rastet e legalizimeve si dhe në shkelje të afateve;

Task Forca Antikorrupsion, mbetet e fokusuar në vlerësimin maksimal të çdo denoncimi apo informacioni të ardhur nga qytetarët,për të verifikuar shqetësimet apo problemet e tyre dhe për të vënë përpara përgjegjësisë elementët e korruptuar në institucionet e shtetit.

Qytetarët duhet të vijojnë me denoncimet e tyre pranë platformës shqipëriaqëduam.al, me qëllim që të luftojmë korrupsionin dhe për të mos lënë asnjë mundësi për të gjithë ata elementë që e shohin punën në administratën shtetërore si një mundësi për të krijuar përfitime të paligjshme.

Angazhimi i përbashkët institucional nëpërmjet institucioneve ligjzbatuese vazhdon, duke treguar vendosmëri të shtetit për të goditur aktet korruptim edhe abuzimet me detyrën të administratës publike në kurriz të qytetarëve.

Top Channel