Deputetja Jorida Tabaku theksoi në Seminarin ndërkombëtar për luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, se në raportet ndërkombëtare vihet re numri prej 20 mijë shqiptarëve të cilët sot quhen skllevër modernë.

“World Global Survey Modern Day Slavery report (Raporti Global i Ditës Botërore të Skllavërisë), thotë se janë 20 mijë shqiptarë që sot quhen skllevër modernë. 20 mijë nuk është një shifër e vogël. 20 mijë është një shifër e konsiderueshme për popullsinë që ka Shqipëria”, tha Tabaku.

E në këto kushte, këto fakte dalin kur Shqipëria kërkon të jetë vend anëtar i BE-së, dhe ballafaqohet me kërkesat për azil, trafikun e qënieve njerëzore dhe mungesën e vullnetit politik për ta parë seriozisht këtë fenomen.

“Është e vërtetë se nuk ka një lidhje të rritjes së azilkërkuesve me rritjen e numrit të trafikimit, por është fakt shqetësues që 6.5 në 1 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil, Britania e Madhe ishte në vend të tretë të kërkesave pas Francës dhe pas Greqisë. Në momentin që ne e pranojmë këtë, atëherë gjejmë zgjidhje”, tha Tabaku.

Zonja Tabaku shtoi se si zv/kryetare e Bashkisë së Tiranës, ka punuar në mënyrë specifike me krijimin e strehëzave për zonjat që ishin subjekt i trafikimit.

“Problemi kryesor që lind në këtë rast është, trafikimi i qenieve njerëzore rritet kur ekzistojnë 2 faktorë, së pari faktori ekonomik, baza, dhe së dyti, rritja e krimit të organizuar. Krimi i organizuar dhe stimulimi i këtij rrjeti që po ndodh vitet e fundit. Ne kemi pasur probleme me drogën vitet e fundit, nuk u pranua dhe u bëmë fenomen fatkeqësisht për të keq në raportet ndërkombëtare. Më mirë ta pranojmë dhe të marri masa se si ta zgjidhim se sa ta mohojmë dhe ndoshta pas 5 ose 10 viteve të na dalë një kriter i ri në procesin e integrimit europian”, tha Tabaku.

Top Channel