Një ditë më parë, Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha u bënë thirrje qeverisë që të tërhiqej nga projektet koncesionare apo projektet me partneritet publik-privat sepse në të ardhmen, nëse PD-ja vjen në pushtet, do të konfiskojë këto pasuri.
Paraditen e së martës reagoi ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili i cilësoi deklaratat e kreut të PD-së si “gjobëvënie” dhe “kërcënim ndaj zhvillimit ekonomik”.
“Ironikisht, unë isha në një aktivitet që flet për nxitjen e investimeve në sektorin elektroenergjetik me pjesëmarrës edhe të vendeve të Bashkimit Europian. Deklarata të tilla, më e pakta janë gjobëvënie kurse më e shumta janë të kërcënosh zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Republika e Shqipërisë është anëtare e konventave ndërkombëtare që mbrojnë çdo lloj investimi dhe ka ikur koha kur një parti politike, për interesa të saj politike, të mund të kërcënojë biznese të cilat investojnë në këtë vend apo të mund të ndërmarrë masa të cilat janë të denja për regjimet të cilave u ka ikur koha. Kështu, unë e quaj thjesht manifestim i degradimit politik të Partisë Demokratike në një nivel parapolitik dëshpërues. Qeveria do të vazhdojë politikat e saj zhvillimore sepse zhvillimi është për shumicën e shqiptarëve, pavarësisht se kush është në pushtet”, tha Gjiknuri.
Top Channel