Vettingu ndaj politikanëve ka qenë një nga çështjet e artikuluara nga opozita në këto ditë të para të vjeshtës, ndërsa vetë Lulzim Basha shpjegoi se si synon të realizojë këtë proces.
Kreu i opozitës iu përgjigj shprehjes së qeverisë se “djalli qëndron në detaje” dhe theksoi se Vettingu synon të nxjerrë jashtë politikës, personat me lidhje me krimin e organizuar.
“Djalli nuk qëndron në detaje, por është në parlament dhe në qeveri. Djalli janë ata persona që marrin vendime në emër të qytetarëve dhe në kundërshtim me interesin e tyre. Ne duam që t’i largojmë këta djaj nga parlamenti, pasi sot në Shqipëri qeveris krimi i organizuar, i cili e ka vënë përfund shtetin. Në dy javë, parlamenti është marrë vetëm me hallet e oligarkëve dhe kriminelëve, duke lënë mënjanë shqetësimet e shqiptarëve. Vettingu politik është i njëjtë me atë që po bëhet prokurorët, gjyqtarët dhe policënë, ndërsa tashmë do të bëhet edhe për politikanët”, tha Basha.
Basha shpjegoi pse nuk duhet pritur ngritja e SPAK-ut dhe BKH-së, për të kryer vettingun në politikë, ashtu siç po kryhet për gjykatësit, prokurorët dhe policët.
“SPAK-u dhe BKH-ja hetojnë dhe të çojnë në burg, ndërsa vettingu synon vetëm t’i nxjerrë të gjithë të inkriminuarit nga jeta politike. Nëse një gjyqtar i lidhur me krimin, një prokuror i lidhur me krimin apo një polic i lidhur me krimin, duhet nxjerrë jashtë sistemit, atëherë pse një politikan i lidhur me krimin të mos nxirret jashtë sistemit? Është absurde që Taulant Balla, Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama të votojnë për të nxjerrë nga sistemi zyrtarë të lidhur me krimin, ndërsa vetë të mos i nënshtrohen të njëjtave rregulla”, u shpreh Basha në “Open”.
Top Channel