Ngec hetimi për CEZ; Priten letërporositë nga Kosova dhe Çekia

24/09/2018 12:09

Hetimi i nisur për privatizimin e OSSH nga kompania çeke CEZ, ka ngecur në pritje të letërporosive nga Kosova dhe Çekia. Ky hetim i nisur pas kallëzimit të bërë nga disa deputetë të mazhorancës, që ishin pjesë e Komisionit Hetimor Parlamentar për privatizmin e OSSH, duket se ka mbetur peng i dëshmive të Nue Kalajt dhe dy ish-drejtuesve çekë në vendin tonë Jan Ivan dhe Josef Heicek.

Në fakt këto dëshmi janë kërkuar të bëhen pjesë e hetimit nga gjykata, e cila nuk pranoi vendimin e Prokurorisë së Tiranës për të pushuar hetimet. Në atë kohë ish-kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar Taulant Balla akuzoi Prokurorinë se nuk kishte kryer hetim të thelluar.

Ndërsa Gjykata la si detyrë për Prokurorinë që të merrte dëshminë e Nue Kalajt, i cili dyshohet se ka luajtur rolin e sekserit në procedurat e privatizimit të OSSH tek CEZ, duke përfituar miliona euro shpërblim. Sipas deputetëve të mazhorancës të akuzuar për këtë aferë janë ish-zyrtarë të lartë, që nga ish-kryeministri Sali Berisha e deri tek ndërmjetësi Nue Kalaj, që sipas Taulant Ballës kanë përfituar miliona euro.

Por si dëshmia e Kalajt ashtu edhe ajo e dy ish-drejtuesve të CEZ, nuk po bëhet e mundur të merren edhe pse Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi pranë autoriteteve të Kosovës ku mendohet që ndodhet Nue Kalaj ashtu edhe pranë autoriteteve çeke per Josef Heisekun dhe Jan Ivanin.

Për këtë arsye Gjykata e Tiranës i ka zgjatur afatet e hetimit edhe me tre muaj të tjerë për këtë çështje në pritje të letërporosive të lartëpërmendura. Ndërkohë dy ish-drejtuesit e CEZ, po gjykohen në një tjetër proces penal në Gjykatën e Tiranës të akuzuar për mashtrim me pasojë një dëm ekonomik të përllogaritur në mbi 5 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA