Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama risjell në vëmendje përdorimin si Prokurore e Përgjithshme e Përkoshme të Arta Markut, duke e quajtur një term jokushtetues.
Në një status të gjatë në Facebook, Luan Rama i referohet edhe letrës së fundit publike të kryeprokurores.
“Më duhet ta them përsëri për të gjithë ata që nuk e dinë, por edhe për ca të tjerë që bëjnë sikur nuk e kuptojnë, a thua se nuk e dinë që vetëprezantimi si i paditur nuk e përligj injorancën, se Prokurori i Përgjithshëm, e afërmendsh, edhe të gjithë prokurorët e tjerë, nuk komunikojnë me letra të hapura me askënd, me asnjë institucion e aq më pak drejtuar popullit! Kushtetuta u njeh atyre vetëm një instrument, dhe ky është ligji, prej nga ku buron edhe autoriteti që ata kanë si bartës të tagrit kushtetues për të përfaqësuar akuzën në emër të shtetit! Kësisoj, letrat a pamfletet publike që nuk janë instrument ligjor i punës së prokurorëve, s’janë asgjë tjetër, por dëshmi e paaftësisë për të kuptuar dhe zbatuar ligjin në përmbushje të detyrës, janë tregues se ata nuk dinë se cila është praktika zyrtare e komunikimit në e për zbatim të ligjit!”, shkruan Rama.
Madje, ai i është përgjigjur dhe komenteve pse e kritikon kreun e organit të akuzës. “Legjitimiteti dhe ilegjitimiteti ndahen jo prej emocioneve, po prej ligjit e zbatimit të tij në zgjedhjen apo emërimin, në rastin tonë të Prokurores së Përgjithshme! E nga ky përcaktim, zgjedhja në kundërshtim me detyrimin kushtetues e bën ilegjitime zgjedhjen e saj, e bën ilegjitim e të pavlerë autoritetin e saj! Dhe për fat të keq, këtu fillon e keqja, këtu fillon abuzimi, këtu fillon shpërdorimi! Këtë e di shumë mirë edhe zonja Prokurore e Përgjithshme, e cila edhe letrën e vet publike, pasi e fillon me refrenin “ të dashur qytetarë të vendit tim”, e nënshkruan në fund, Arta Marku, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, një emërtim antikushtetues dhe i paligjshëm, sepse edhe në Kushtetutë, edhe në ligj asnjeherë e asgjëkundi nuk flitet për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm! Mjafton edhe vetëm ky element formal, për ta konsideruar jo vetëm letrën e saj publike, po çdo akt të nënshkruar prej saj me këtë atribut si të paligjshëm e të pavlerë. Ose më e pakta nul, meqë përcaktimi nul është edhe koncept juridik!”, shpjegon ai.
Top Channel