Basha: Ja pse oligarku Ulaj mori koncesionet e hidrocentraleve mbi Valbonë

24/09/2018 21:31

Një nga oligarkët e përmendur nga kreu i opozitës në prezantimin e platformës për “Çlirimin e Ekonomisë” ishte edhe Bashkim Ulaj, kompanitë e të cilit kanë marrë më shumë para publike në kohën kur qeveriste Partia Demokratike.

Për më tepër, po nga qeveria Berisha, kompanitë e tij kanë marrë edhe koncesionin për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin Valbona, ku edhe po has në beteja të shumta ligjore dhe jo vetëm, me banorët e zonës.

Vetë kreu i PD-së shpjegoi arsyet pse ka përfshirë emrin e Ulajt në listën e oligarkëve që përfitojnë tendera dhe koncesione abuzive, ndërsa foli edhe për koncesionin e hidrocentraleve mbi Valbonë.

“Ne nuk po flasim për gara të ndershme dhe për para të marra në mënyrë të ndershme, për zbatim projektesh, por për para të vjedhura nga populli dhe të përfunduara në xhepat e oligarkëve. Rasti i Valbonës bën fjalë për ndërtimin e disa veprave energjitike, me paratë e privatëve dhe që pas përfundimit të periudhës koncesionare, mbeten në pronësi të shqiptarëve. Në rastin aktual, qeveria po shet shërbime te privatët dhe bëhet fjalë për shërbime që populli nuk i merr kurrë, por që vetëm pasurojnë oligarkët dhe qeveritarët që fshihen pas tyre. Gjithsesi, koncesioni i Valbonës do të shihet nga ana mjedisore për lejen e dhënë”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA