Basha i përgjigjet Ballës: Shpifës i dënuar nga gjykata, e sfidoj të provojë akuzat ndaj meje

24/09/2018 22:29

“Merr përsipër të gjykojë oligarkët një person si Lulzim Basha, i cili u vë gjoba atyre në mënyrë të vazhdueshme, duke i detyruar të bëjnë ekspertiza në kompanitë e bashkëshortes dhe kunatit të tij”, deklaroi kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant balla.

Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha u përgjigj ndaj këtyre akuzave, duke e cilësuar Ballën një shpifës të dënuar me vendim gjykate dhe duke kërkuar që të provohen akuzat ndaj tij.

“Taulant Balla është një shpifës i dënuar me vendim gjykate dhe kjo dihet tashmë botërisht. Megjithatë unë u garantoj juve dhe gjithë shqiptarëve se as bashkëshortja dhe as një familjar tjetër i imi, nuk ka kompani të tilla konsulenca. Edi Rama dhe shpifësi i tij, Balla kontrollojnë çdo institucion në vend, ndaj unë i ftoj të provojnë akuzat e tyre ndaj meje, ose në të kundërt, të heshtin dhe të mos shpifin akoma”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së solli edhe njëherë në vëmendje faktin që Taulant Balla ka lidhje të drejtpërdrejta me persona të botës së krimit, siç ishte rasti i Edmond Begos, ndërsa akuzoi se në grupin e PS-së ka ende politikanë të lidhur me krimin, si Fatmir Xhafaj dhe Jurgis Çyrbja.

Top Channel