Si sot 25 vite më parë, u publikua albumi legjendar i grupit Nirvana, “In Utero”. Një rikthim në origjinë.
Në vitin 1993, Kurt Cobain kërkonte të rigjente krahët, mundësinë për të kryer kërcimin e madh përtej shtrëngesave që në dy vitet e fundit e kishin transformuar bandën e tij në ingranazhin më efikas në funksion të “makinerisë” së botës së spektaklit. Një udhëtim pas në kohë, drejt primordialitetit të tingullit, të emocioneve, të fjalëve…
Guximi ishte shumë i madh: ta bëje gjysmën e botës të harronte perfeksionin e albumit “Nevermind”, disku që në shtator të vitit 1991 kishte dërguar në orbitë grupin Nirvana.
“In Utero” është ditari i shumë betejave. Ajo e Cobain me vetveten: “I hate my self and I want to die”, nuk ishte vetëm titulli i parë i projektit, por edhe përgjigjja që këngëtari i jepte kujtdo që e pyeste “Si je”?
Për më tepër: beteja kundër dhunimit persistent dhe të thellë të privatësisë të pësuar nga Cobain në 24 muajt e fundit, jeta e tij në mikroskop, e ekspozuar në shumicën e revistave botërore, fenomenologjia e varësive të tij e degraduar në argument bisede nëpër talk-shoë. Ishte beteja kundër kritikëve, gazetarëve, vetë etiketës së tij muzikore.
Në ato 24 muaj, aktorët e mediave nuk bënin gjë tjetër përveç nxjerrjes së Kurt Cobain si “zëri i një gjenerate”, modeli që të gjithë të rinjtë mes moshës 15 dhe 25 vjeç ndjekin. E fundit ishte beteja më intime, nga ato që zhvillohen në vetminë më të thellë: të përmbledhësh në një disk humnerën vetjake të mërzisë dhe të nervozizmit, të pakënaqësisë dhe tensionit.
Top Channel