“Fiks Fare” sjell në vëmendje vështirësitë dhe sorollatjen që i duhet një të sëmuri me hemofili për të marrë mjekimin e domosdoshëm për të jetuar normalisht.
Fitim Allçiu, nga fshati Kllobçisht i Peshkopisë, është i lindur me hemofili të rëndë, pasi ka mungesë të faktorit 9. “Fiks Fare” udhëtoi drejt Peshkopisë për të parë nga afër situatën dhe për të përshkruar rrugën që i duhet të bëjë një pacienti për të marrë ilaçin e domosdoshëm.
Fitimi tregon për kamerën e Fiksit se duhet të marrë një sërë dokumentesh, edhe pse është i sëmurë kronik, dhe se i duhet të udhëtojë drejt Tiranës me shpresën se do ta gjejë ilaçin. Fillimisht, Fititmit i duhet rekomandimi i mjekut të familjes dhe këtë ia siguron infermierja e fshatit me vulë dhe firmë të mjekut.
Më pas, bashkë me grupin e xhirimit të “Fiks Fare” i drejtohen Spitalit të Peshkopisë, i cili ka mungesë hematologu dhe si pasojë i drejtohen gastrohepatologut për të marrë rekomandimin nga mjeku specialist.
Pas marrjes së tij, Fitimi niset drejt Tiranës me furgon rreth orës 12:00, pasi gjithë procedurat e letrave me rekomandime i sjellin vonesa të sëmurit.
Mbërritja në Tiranë bëhet rreth orës 17:00 dhe në QSUT nuk arrin të gjejë asnjë mjek. Fitimit i duhet të paraqitet ditën e nesërme për të marrë ilaçin, e për këtë ai duhet të flejë në një hotel.
Të nesërmen i drejtohet përsëri QSUT-së së bashku me bashkëpunëtorët e Fiksit. Ilaçin që kërkon për të mbijetuar nuk e gjen. Farmacistja i shpjegon se nuk ka ilaç, nuk ka pasur dhe se nuk e di nëse do të vijë. Pak orë më vonë, atij i komunikohet se nuk mund ta marrë ilaçin pasi nuk ka.
Fitimit i duhet të kthehet në Peshkopi pas gjithë sorollatjes për ilaçin, duke shpresuar mos të ketë hematoma apo hemorragji, pasi do të rezultonin fatale për të.
Top Channel