Open/ Kryemadhi: Krimi e përdor politikën; Politika, argate e krimit

20/09/2018 21:25

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e ftuar në studion e emisionit “Open” me gazetaren Eni Vasili, deklaroi se “krimi e shikon politikën si mjet për të kontrolluar sistemin”, ndërsa “politika tashmë është bërë argate e krimit”.

“Kriminelët duhet të shkojnë në burg, jo të hiqen nga politika dhe të fitojnë tendera. Krimi e shikon politikën si mjet për të kontrolluar sistemin. Dëgjojmë që kriminelët që janë në kërkim bëjnë sherre nëpër klube dhe nuk del asnjë njoftim. Ndërsa politika tashmë është bërë argate e krimit. Ka prezencë kriminelësh në zyrat e shtetit. Jo krimineli vetë në zyrë, por e dashura, motra ose bashkëshortja e tij”, deklaroi Kryemadhi.

Më tej, kreu i LSI-së tha se në karrierën e saj në politikë vetëm kryeministri Edi Rama është parë me kriminelë.

“Nuk kam parë kurrë kryeministër që ulet në tavolinë me kriminelë si Edi Rama”, tha Kryemadhi.

Top Channel