Ka ndërruar jetë Inge Feltrinelli, mbretëresha e fundit e botës së editorisë ndërkombëtare. Më 24 nëntor do të mbushte 88 vjeç.

U largua me të njëjtin rezervim të heshtur, po ashtu siç e kishte zakon të linte një festë. Nuk i donte ceremonitë e lamtumirave, ndoshta sepse kishte përjetuar shumë. Sëmundja dhe dhimbja i përkisnin një anë private të saj, të cilat preferonte t’i mbante në hije. E quanin “The queen of publishing”! Në një Itali ende provinciale, 60 vite më parë, solli një copëz mondaniteti.

Pikërisht në redaksinë kaotike të rrugës “Andegari”, laborator revolucionesh e utopish, Inge punon përkrah bashkëshortit të saj, Giangiacomo Feltrinelli, në ndërmarrjen e saj kulturore, moderne dhe kozmopolite. Pas vdekjes tragjike të themeluesit, në mars të vitit 1972, Inge u bë shpëtimtarja e vërtetë e shtëpisë botuese, të cilën më pas ia beson Karlos, djalit të saj, me një trashëgimi kulturore për t’u pasur zili.

Më shume sesa një sipërmarrëse, Inge ishte një atmosferë. Të kaloje 5 minuta me të, do të thonte të zhyteshe në një pus të mrekullueshëm bibliofilie. Nxitëse e madhe energjish dhe marrëdhëniesh, Inge arriti ta çonte përpara shtëpinë botuese në mes të stuhive sociale dhe politike. Ishte përfaqësuesja e fundit e një bote që nuk ekziston më, si editoria e Gaston Gallimard, Alfred Knopf, Jorge Herralde, Barney Rosset dhe një sërë publikuesish me të cilët bashkëndante talentin dhe eksentricitetin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA