Teatri, ligj i ri me tender. PS pranon dekretin e Metës. PD rikthehet në Kuvend

18/09/2018 15:32

Dekreti presidencial që kthen ligjin për teatrin ktheu opozitën në Kuvend, por qëndrimi i saj u kushtëzua me votën që mazhoranca dha për variantin e ri të ligjit, duke sjellë edhe përplasje të ashpra në komision.

“Dekreti i Presidentit u miratua, ligji ra poshtë. Kjo mbledhje mbyllet këtu”, tha deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Opozita braktisi mbledhjen, ndërsa replikat mes palëve vijuan edhe jashtë sallës së Komisionit të Veprimtarive Prodhuese.

“Pasi rrëzuan sistemin e drejtësisë, pasi rrëzuan sistemin e prokurorisë, rrëzuan sot edhe Presidentin. Ka vetëm një zgjidhje: një orë e më parë vetting për të larguar banditët nga kjo godinë”, deklaroi demokrati Enkelejd Alibeaj.

Ndërsa Eduart Shalsi, kryetar i komisionit, u shpreh: “Nuk ndodh për herë të parë në Kuvend që dekretet e Presidentit janë rrëzuar ose pranuar dhe janë bërë amendamente”.

Ligji i ndryshuar nga socialistët, që pritet të kalojë në seancë plenare, parashikon hapjen e garës për të gjitha kompanitë, siç ishte edhe rekomandimi i Komisionit Europian, ndërsa komisioni i negocimit për çështjen e teatrit, i bën thirrje të gjitha palëve që janë të interesuara për të paraqitur propozimin për ligjin brenda ditës së enjte.

Top Channel