Nis pagesa në Rrugën e Kombit. Tarifë e reduktuar për Kukësin, Hasin dhe Tropojën

17/09/2018 19:49

Nga 17 shtatori i vitit 2018, Rruga e Kombit është e para rrugë me pagesë kalimi në Shqipëri. Tarifimi ka nisur që në orët e para të mëngjesit.

Puna në sportele ka nisur me prezencë të policisë. Çdo mjet transporti do të tarifohet sipas kategorisë, motoçikletat kanë çmimin më të lirë, ndërsa kamionët e mëdhenj më të lartin. Autoveturat kanë një çmim prej 5 eurosh, i cili konvertohet në lekë në momentin e pagesës në sportel. Procedura është e njëjtë për çdo mjet.

Ndërkohë, për banorët e zonës së Kukësit, Hasit dhe Tropojës, të cilët kanë një automjet të regjistruar në Drejtorinë Rajonale të Qarkullimit në Kukës, tarifa do të jetë 100 lekë për kalim. Reduktimi i tarifës ishte rezultat i negociatave mes qeverisë dhe koncesionarit pas protestave të dhunshme në muajin mars.

Kësaj radhe, në pikën e pagesës në Rrugën e Kombit nuk kishte protestë. Forcat speciale të ardhura nga Tirana ishin në gjendje gadishmërie, por qëndrimi i tyre nuk qe i nevojshëm. Kundërshtarët e pagesës u mblodhën në qendër të qytetit.

Ibsen Elezi, anëtari i Këshillit Bashkiak të Kukësit nga radhët e PD-së, u shpreh: “Ky tra do të hiqet. Ne do të bashkojmë ekonomikisht Shqipërinë dhe Kosovën. Në mars e zgjidhëm lokalisht problemin, ndërsa tani do ta zgjidhim kombëtarisht”.

Vetë përdoruesit e rrugës janë të ndarë për çmimin.

“Tani do të tarifojë rrugën në Vlorë, Elbasan e me radhë. Aq ishte, sa të fikte flakën e Kukësit”, thotë një qytetar.

Një tjetër deklaron: “Unë jam shumë i kënaqur me 1000 lekë (të vjetra). Rruga duhet të paguhet, pasi nëse nuk paguhet, nuk mirëmbahet”.

Ndërkohë, në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama falenderonte banorët e Kukësit për mirëkuptimin dhe qytetarinë. Rama tha se kërkonte ndjesë për shqetësimin e krijuar dhe se Kukësi do të bëhet shpejt me aeroport dhe stadium të ri.

Top Channel