Në një intervistë të gjatë mbrëmjen e kaluar në emisionin “Zona Gol” në Supersport, Presidenti i FSHF, Armand Duka, ka folur për gjendjen aktuale të Kombëtares shqiptare, por edhe të ardhmen e trajnerit Panucci.
Duka është shprehur se sulmi ndaj trajnerit italian pas humbjes ndaj Skocisë është i orkestruar.
Supersport: Sa i kënaqur mbetët, dy ndeshje 3 pikë…
Armand Duka: Do të isha i kënaqur sikur të ishin 6 pikë.
Supersport: Ragimi juaj u duk sikur donte të zbuste humbjen me Skocisë.
Armand Duka: Nuk kam bërë reagim, por kam dhënë një opinion. Nuk ka ndonjë rast që Panucci të mos u jetë përgjigjur ftesave të gazetarëve. Jeni munduar të mblidhni sa më shumë fakte për ta kryqëzuar trajnerin. Kemi humbur një ndeshje dhe nuk mund ta konsiderojmë tragjedi. Duhet të analizojmë dhe të nxjerrim problemet. Ne fituam me Izraelin, s’do të thotë që s’kishte probleme. Nuk duhet dramatizuar. Kjo është një lojë kolektive. Nuk jam i kënaqur që humbëm në Skoci, por nuk mund ta dramatizoj. Ndoshta presioni dhe kërkesat janë shumë të mëdha.
Supersport: Sa ju kënaqin shifrat e Panuccit?
Armand Duka: Nuk është kombëtarja e Panuccit, është e Shqipërisë. Të gjithë bashkë punojmë dhe marrim faturën e suksesit dhe mossuksesit. Nuk mund të kënaqem kurrë me fitoren. Kur shoh që kemi humbur me Italinë dhe Spanjën, apo me në miqësoren me Norvegjinë, ngushëllohem pak. Kemi humbur ndaj Skocisë, që ka lojtarë që luajnë në Premier League. Ka qenë pjesëmarrëse në eventet e mëdha. Nuk mund të bëjmë paralelizëm mes Venturës me Italinë dhe Panuccit me Shqipërinë. Sulmet më duken të orkestruara.
Supersport: Çfarë duket e orkestruar?
Armand Duka: Sulmi ndaj Panuccit.
Supersport: Ajo që mungon është atmosfera…
Armand Duka: Duhet të ndryshojë atmosfera, këtë po tentoj edhe unë, sepse është një faktor shumë i rëndësishëm. Duhet t’i shohim gjërat me objektivitet. Ia kam bërë kritikë edhe Panuccit edhe zyrës së shtypit. Është krijuar ideja që Panucci bëri eksperimente në grumbullimin në Zvicër, por nuk është e vërtetë. Vetëm Ansi Agolli u la. Ishin data që nuk ishin përcaktuar nga FIFA. Klubet nuk lejonin lojtarët. Ishte i detyruar të bënte ndryshime, sepse s’kishte lojtarë. Ajetin e aktivizoi në mesfushë. Vetë trajneri ka folur me Agollin dhe i ka thënë që unë e di kush je ti, por do të provoj që të gjej dikë për të të zëvendësuar. Besoj se në Elbasan opinioni e konsideroi të drejtë zgjidhjen e Binakut. Nuk është e vërtetë që nuk ka klimë në skuadër, nuk kam dëgjuar të ketë klimë jopozitive. Ndoshta duhet të njoftojë më mirë publikun nëpërmjet zyrës së shtypit për vendimet që merr. Nuk di të ketë probleme me mediat.
Supersport: A jeni penduar që keni zgjedhur Panuccin?
Armand Duka: Kohën për Panuccin jua kërkova juve dhe publikut, për ta lënë më të qetë që të arrijë rezultatet e duhura në dy ndeshjet e mbetura të Nations League. Sigurisht që Federata vendos për trajnerët. Të gjithë trajnerët që kemi patur kishin një mijë të mira dhe një mijë të këqija. Çdo trajner, që zgjedh mënyrën e lojën, në fund mendon se mund të kishte bërë më mirë, kjo është loja.
Supersport: A jeni i shqetësuar për faktin që Kombëtarja nuk ka stabilitet taktik, ka përdorur 9 skema të ndryshme?
Armand Duka: Të flasim për skemat, kam frikë se gaboj, Për kaq sa kam njohuri për futbolli, për asnjë ekip nuk thuhet se luhet me të njëjtën skemë, luhet në bazë të kundërshtarit që ke përballë. Ndryshe nuk funksionon skema. Dy trajnerët kroatë që kemi patur, Kuzhe dhe Baric, ndryshonin skemat gjatë lojës, i përshtateshin kundërshtarit, realitetit. Nëse skemat që ai përdor, janë ose jo të suksesshme, është tjetër diskutim.
Supersport: Si u ndjeve që Agolli doli në konferencë për shtyp dhe nuk luajti
Armand Duka: Do të doja që të ishte edhe një herë 25 vjeç. Meqë Ansi ishte dhe është gjithmonë i gatshëm, trajneri duhet të marrë një vendim teknik apo taktik. Sigurisht që unë do të doja që Ansi të luante gjithmonë.
Supersport: Si mund ta rikthejë atmosferën Panucci?
Armand Duka: Nuk besoj se janë të vërteta ato që thua ti. Nëse një futbollist të ju thotë diçka, atëherë ju duhet t’i thonë se duhet t’i zgjidhni brenda skuadrës problemet. Unë nuk besoj se ka lojtarë që janë të pakënaqur. Futbollistët mund të debatojnë pas një humbjeje, por kjo s’do të thotë se është një situatë antagonistë. Duhet ta motivojë skuadrën ashtu siç bëri me Izraelin.
Supersport: Nëse nuk kthehen rezultatet, pra nëse humbasim, çfarë do të ndodhë? A do të shihni dhe çmimet e biletave?
Armand Duka: Trajnerët i mbështes maksimalisht për të arritur rezultatet. Kështu kam vepruar me të gjithë trajnerët, jo vetëm me Bushin dhe Bogdanit. Me vetëm tre ndeshje zyrtare, në rastin e Bogdanit, nuk mund të thuash se duhet ta zëvendësojmë. Duhet të bëjë të pakën edhe një kompeticion. Nuk ka patur performanca të këqija. Duhet të presim ndeshjet zyrtare dhe pastaj të themi nëse duhet ndryshuar. Për çmimet e biletave nuk besoj se ka faj Panucci. Do të doja që publiku të hynte falas në stadium, por unë nuk mund ta bëj këtë, sepse të vetmet të ardhura që kemi si FSHF janë biletat dhe të drejtat televizive. Nuk kemi konsideruar që kur kombëtarja është mirë të rritim biletat dhe kur është keq ta ulim.
Supersport: Çfarë ndodh me Panuccin nëse u humbet dy ndeshjet e radhës.
Armand Duka: Duhet të mendoj pozitivisht, që do ti fitojmë dy ndeshjet e radhës. Ne pretendojmë të dalim të parët në grup.
Supersport: Pse vendosët që të merrnit Panuccin, pa eksperiencë?
Armand Duka: Sepse ne erdhëm pas një suksesi të madh dhe mendohet që pas suksesit ka eufori. Skuadra ka nevojë për një lloj autoriteti për ta manaxhuar. Meqë ishte një emër i madh i futbollit, një autoritet, mendova se do ta manaxhonte ekipin pas këtij suksesi. Po të kisha mundësi, do të merrja një emër të madh edhe me 20 vite eksperiencë.
Supersport: Si do ta komentonit vendimin e Panuccit për ta çuar në gjyq Bujar Nishanin?
Armand Duka: Me këtë pyetje më vë në vështirësi, sepse është ish-presidenti im. Të jem i sinqertë, nuk më ka pëlqyer komenti i Bujar Nishanit. Nuk do t’ia lejoja vetes kurrë t’i thosha dikujt sharlatan. Unë nuk do të isha dakord të çoja në gjyq ish-presidentit tim.
Supersport: A ekziston një grup futbollistësh që ka dashur të ankohen tek ju për trajnerin?
Armand Duka: Nuk e di nëse është e vërtetë, por do të më vinte keq. Ekipi kombëtar nuk ka senatorë, por ka kontributorë. Duhen falënderuar edhe për kontributin e tyre me Skocinë. Nuk ndodh me ekipin shqiptar që senatorët të ankohen për trajnerin. Mund të jenë këto pakënaqësitë për lidhjet direkte të munguara të medias.
Supersport: Ju shqetëson mungesa e një lideri, nuk ka një kapiten Kombëtarja?
Armand Duka: Mund të jetë një fazë kalimtare. E ka vendosur trajneri me vetë futbollistët për ta mbajtur shiritin ai me më shumë ndeshje. Është e drejtë ekskluzive e trajnerit, është në kontratë. Lider je ose nuk je, nuk të bën shiriti.
Supersport: Shqipëria nuk po shfaqet ajo skuadra që bën ndeshje të mëdha me ekipe të mëdha. Kur nuk ia dalim me Izraelin…
Armand Duka: Edicioni nuk i ngjason edicionit. Kemi zhvilluar ndeshje të mëdha edhe me Gjermaninë, edhe në vitet ’60. Nuk jam i bindur që ne jemi në momentin më të mirë të mundshëm të viteve të fundit. Shtatori kaloi, futbollistët janë stabilizuar, diçka ka ndryshuar. Uroj që të jemi më mirë.
Supersport: Sa e ka dobësuar Shqipërinë fakti që kemi edhe Kosovën, pra dy kombëtare?
Armand Duka: Do të kishim më shumë alternativa normal që kanë ndikuar.
Supersport: Si ju duket Kosova?
Armand Duka: Shumë mirë. Nuk i kam ndjekur ndeshjet, por ka marrë një fitore dhe një barazim në transfertë. Kur të kem mundësi do të shkojë në stadium, është pretendente kryesore në grupin e saj.
Supersport: Komenti juaj për kampionatin shqiptar?
Armand Duka: Më duket mjaft konkurrues, vetë koha sjell zhvillim. Skuadrat kanë përbërje të mirë, ndeshjet e para kanë qenë të kënaqshme. Kampionati me 10 skuadra është shumë i fortë.
Supersport: Mungesa e policisë ka sjellë shumë pështjellim. Ka patur incidente në Korçë, si do të zgjidhet kjo problematikë?
Armand Duka: Ishte një vendim i nxituar për të larguar policinë nga shkallët e stadiumit. E mendoj të pamundur manaxhimin e ndeshjeve vetëm me stjuardë, edhe në anën financiare. Kemi mbi 400 ndeshje në javë, duke patur parasysh edhe moshat. Ky është realiteti ynë, nuk mund të fshihem pas gishtit. Luajmë në fushat sportive, jo në stadiume. E kam kundërshtuar ligjin që në ditën e parë, edhe në grup parlamentar kam diskutuar. Kemi bërë takime me policinë që të ndryshojë kjo qasje, nuk e kemi menduar që të ndërpresim kampionatin. Duhet të gjejmë një mënyrë në për të gjetur zgjidhje. Mund të ndodhë që në inferiore apo të fëmijët të hyjë një prind të godasë arbitrin, a ka ligj që do ta dënonte. Kemi patur edhe vërejtje të tjera për ligjin. Më duket më shumë vendim i nxituar sesa i orkestruar për të dëmtuar futbollin shqiptar. Nuk jemi Anglia, nuk jemi gati për të mos patur policë në stadium.
Top Channel