Të pagjumë, 20-30% e botës. Shkaqet kryesore janë…

16/09/2018 17:10

Me zhvillimin e vrullshëm të qyteteve tona, ka ardhur në rritje edhe përqindja e popullsisë që raporton se ka çrregullime të gjumit, ose ajo që ndryshe quhet prevalencë e pagjumësisë.

20-30% e popullsisë globale vuan nga gjumi jo i mirë. Ata kanë vështirësi për të fjetur, kanë zgjim herët në mëngjes ose gjumë jo shplodhës në çdo kohë. 8-10% e popullsisë vuan nga pagjumësia kronike; ndërsa rreth 4% e popullsisë përdorin rregullisht ilaçe për të fjetur.

Rreth një e treta e amerikanëve kanë vështirësi për të fjetur. Ndërsa një studim në Francë, Britani, Gjermani, Itali, Portugali dhe Spanjë, raportoi se 10.1% kishin vështirësi për të fjetur dhe 22.2% vështirësi për të qëndruar ose mbajtur gjumin. Në Hong-Kong prevalenca e përgjithshme e pagjumësisë ishte 11.9% në vitin 2012. Ndërsa në Brazil prevalenca e pagjumësisë tek personat 18 vjeç e lart rezultoi 35.4%.

Rritja dramatike e numrit të automjeteve dhe intensifikimi i jashtëzakonshëm i të gjitha veprimtarive jetësore është shoqëruar me një prevalencë të lartë të çrregullimeve të gjumit e të bezdisjes të shkaktuar nga zhurma edhe në Shqipëri këto 20 vitet e fundit. Agjencia Kombëtare e Mjedisit bën monitorimin periodik të zhurmave të trafikut rrugor, në qytetet kryesore të vendit. Në të gjitha qytetet ka rezultuar nivel i lartë zhurme, si gjatë natës, ashtu edhe të gjatë ditës. Në Tiranë, që është edhe qyteti më i zhurmshëm, në zona të caktuara si kryqëzimi te “Vasil Shanto” apo rrethrrotullimi i Zogut të Zi, niveli i ndotjes akustike shkon deri në 80-90 decibel gjatë ditës dhe 60-70 gjatë natës; ndërkohë që normat e Bashkimit Evropian janë 55 decibel gjatë ditës dhe 45 decibel gjatë natës.

Për këtë arsye, në vitin 2008, Instituti i Shëndetit Publik kreu një studim mbi ndikimin e ndotjes akustike në popullatën e ekspozuar në qytetin e Tiranës. Nga studimi, rezultoi se prevalenca e popullatës shumë të bezdisur ishte 44% dhe prevalenca e popullatës së bezdisur ishte 28%. Gjithashtu, 56.3% deklaruan se burimi më shqetësues i zhurmave të jashtme ishte trafiku rrugor dhe 29% deklaruan se burimi më shqetësues i zhurmave nga brenda banesës ishin përsëri zhurmat e trafikut rrugor.

Përsa i takon indikatorit të çrregullimit të gjumit, rezultoi se 50.1% e popullatës urbane të qytetit të Tiranës deklaroi se kanë çrregullime të gjumit, të shkaktuara nga trafiku rrugor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA