Një dekadë nga falimenti i “Lehman Brothers”…Atëherë kur nisi kriza financiare

16/09/2018 14:25

Paralajmërime kishte pasur edhe më parë, por duket se gjithçka kishte rënë në vesh të shurdhër.

Kur “Lehman Brothers” plotësoi dokumentet për falimentimin më të madh në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 15 shtator 2008, u pa qartë se flluska gjigante e tregut amerikan të pasurive të paluajtshme shpërtheu, duke sjellë pas një recesion të vështirë ekonomik dhe financiar.

E zhytur deri në fyt me kredi të këqija, banka kishte pësuar humbje të mëdha, ndërsa çmimet e pronave ranë. Kolapsi ndezi një reaksion zinxhir.

Tregu i aksioneve u zhyt në krizë. Rreth 7 miliardë dollarë të aksionerëve u “dogjën” sikur nuk kishin ekzistuar ndonjëherë. Brenda dy vitesh, rreth 9 milionë amerikanë humbën punën. Taksapaguesi amerikan pagoi faturën. Ligjvënësit reaguan me ligjin e ashpër “Dodd.Frank-Act”, që i vuri frerët botës së financave.

Bankat pompuan parà në tregje dhe i ulën normat e interesit në zero, me shpresën se kompanitë do të merrnin kredi të lira për të investuar; konsumatorët do të vazhdonin të konsumonin; e kështu ekonomia do të merrte një hov të ri.

Pas 10 vitesh, situata ka ndryshuar. Ekonomia amerikane është rritur, fitimet e vendet e punës po ashtu. Në bursa, aksionerët ndjekin njëri pas tjetrit rekordet dhe dy gjigantë amerikanë si Apple dhe Amazon kanë kapërcyer vlerën e 1 triliard dollarëve.

Këtyre rezultateve u gëzohet edhe presidenti amerikan, Donald Trump. Por, rreziku nuk ka kaluar.

Pas një krize si ajo e vitit 2008 pasojnë norma të ulëta interesi. Konsumatorët, shtetet, firmat marrin kredi të lira, malet e borxheve rriten, ekonomia rritet.

Për të penguar mbinxehjen e ekonomisë për shkak të inflacionit, Bankat Qendrore rrisin normat e interesit. Cikli mbyllet. Tani, ekspertët thonë se përpara ekonomisë amerikane ka një periudhë ftohjeje. E ata më skeptikët druajnë se jemi para një flluske të re, që mund të shpërthejë. Një shpërthim në Amerikë do të ndihej kudo, siç u ndie në vitin 2008.

Top Channel