Në Ditën Botërore të Pastrimit, Tirana iu bashkua aksionit për largimin e mbetjeve dhe ruajtjen e mjedisit. Qindra vullnetarë dhe qytetarë, të mbështetur edhe nga punonjësit e ndërmarrjeve të pastrimit të Bashkisë së Tiranës, nisën që në orët e para të mëngjesit aksionin për largimin e mbetjeve në të gjitha njësitë administrative, kryesisht pranë shkollave.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj iu bashkua vullnetarëve në zonën e Pezës, ku vlerësoi angazhimin e tyre për të kontribuar në mbajtjen pastër të mjedisit. “Sot iu bashkuam një nisme që po ndodh në 150 vende të botës, por ajo që na intereson më shumë është mënyra se si nisma funksionon në Shqipëri, ndaj jam shumë i lumtur që vullnetarët na janë përgjigjur në çdo cep të Tiranës. Kemi organizuar 27 skuadra në të 27 njësitë administrative, me një fokus të veçantë shkollat, kopshtet, çerdhet, pra hapësira publike ku do të presim të ardhmen e Tiranës, ditën e hënë, por edhe vendet tona historike”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se Tirana sot është shumë herë më e pastër se më parë dhe se kujdesi për mjedisin shtrihet jo vetëm në qendër, por edhe në zonat rurale. “Sot Tirana është shumë herë më e pastër, por e mira s’ka fund, mund të jetë edhe më pastër; nuk ka asnjë arsye që nëse është e pastër qendra, të mos jetë e pastër periferia dhe Peza, ku ne këtë fundjavë do të presim mijëra njerëz, të cilët nëse e gjejnë pastër, me gjasë edhe do ta lënë pastër, pasi të mbarojnë aktivitetet që përkujtojnë Festën e Pezës”, u shpreh ai.
Veliaj theksoi se është shumë e rëndësishme që ky aksion të jetë i suksesshëm, veç angazhimit të Bashkisë së Tiranës, duhet edhe pjesëmarrja dhe angazhimi i qytetarëve. Ndaj ai u bëri thirrje edhe prindërve që të japin shembullin e tyre personal për fëmijët e vegjël.
“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, që teksa përgatitemi t’i çojmë fëmijët në shkollë të hënën, mësimi më i madh është mësimi që japim me shembull personal. Nëse prindërit pastrojnë vetë, mbajnë pastër vetë, nuk lënë plehrat në ashensor, nuk ndotin poshtë pallatit, sigurisht që fëmijët e kanë marrë leksionin e parë para se të shkojnë në shkollë. Kështu që, mësimet më të mira janë ato që japim me shembull personal. Bashkia e ka dhënë shembullin e saj personal, do vazhdojmë ta bëjmë përditë, por na duhet aleanca e një milionë qytetarëve”, deklaroi Veliaj, teksa theksoi se puna e bërë këto kohë ka dhënë rezultate pozitive duke pasur tashmë një mjedis më të pastër.
“Dua të falënderoj shumë ‘Green Line’ që si çdo vit është nismëtare për pastrimin e Tiranës në një ditë. Nga viti në vit për shkak të aksioneve ka pasur më pak plehra për të pastruar. Do të thotë se mund të përmirësohemi, mund të emancipohemi, mund të zhvillohemi dhe kulturohemi. Kjo është shumë pozitive”, deklaroi Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash me qëllim sensibilizimin e qytetarëve dhe edukimin e tyre mbi hedhjen apo menaxhimin e plehrave.
Top Channel