Banorët e lagjeve periferike të Tiranës urbane, kryesisht në zonën e Freskut, Unazës së Madhe në Kashar dhe në zonën e Selitës në Farkë nuk do të humbasin më kohë apo të udhëtojnë gjatë për të marrë një shërbim në zyrat e njësive Administrative.

Nga ky shtator, kryeqyteti ka tre lagje të reja si pjesë e zonës urbane, të cilat do të emërtohen “Lagjja nr. 12”, “Lagjja nr. 13” dhe “Lagjja nr. 14”.

Në takimin me administratorët e njësive bashkiake të kryeqytetit dhe me drejtorët e ndërmarrjeve nën varësi të Bashkisë së Tiranës, Kryebashkiaku Veliaj sqaroi se në këto zona do të ketë jo vetëm shërbime më të mira por edhe investime më shumë. “Ne duam të investojmë tek Fresku, duam të investojmë tek pjesa e liqenit të Thatë, tek Astiri, por duhet të dimë sa njerëz ka dhe proporcionalisht sipas banorëve të shkojë realisht edhe buxheti I Bashkisë dhe investimet për nevojat që kemi”, deklaroi ai.

Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se së shpejti do të bëhet edhe një amendim në ligj për të krijuar një amnisti të re të përkohshme për pezullimin e masës së gjobës për mosdeklarim të vendbanimit. Në këtë mënyrë, qytetarët do të kenë mundësi që të regjistrohen aty ku kanë edhe adresën e tyre të saktë të banimit.

“Jemi duke punuar për një amendim i cili ka kaluar në Këshillin e Ministrave dhe do të shkojë në parlament i cili do të krijojë një amnisti, pra për ta bërë transferimin pa gjobë të qytetarëve nga vendi ku kanë letrat tek vendi ku realisht banojnë. Së pari dimë kush voton në Tiranë, kush voton në Librazhd, në Malësi të Madhe, kush voton në Sarandë, pra di secili edhe për listat e votuesve kush është kush por mbi të gjitha se votimet janë një herë në katër vjet por jeta në komunitet është përditë. Mbi të gjitha ne dimë dhe kemi një inventarizim të banorëve realë”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA