Fluturimi i parë i “Air Albania”… mbi bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

14/09/2018 14:19

“Air Albania”, kompania e parë ajrore shiptare, ku aksioner është edhe shteti shqiptar, do të nisë fluturimet këtë fundjavë.

Destinacioni i parë i saj është linja Tiranë-Stamboll-Tiranë dhe fluturimet do të nisin ditën e shtunë. Këtë pasdite, avioni Airbus 319, që si stemë ka flamurin shqiptar, do të ulet në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ku do të zhvillohet dhe një ceremoni inaguruese. Por, përpara kësaj, në 16:50, në lartësi të ulët sipër bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, avioni do të kryejë një fluturim demonstrues.

Fluturimet e para do të jenë drejt Stambollit, ndërsa “Air Albania” do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore europiane si Roma, Londra apo Milano.

Në qershor të këtij viti, qeveria nisi procedurat për krijimin e shoqërisë “Air Albania”. Tre ortakët e saj janë “Albcontrol” me 10%, që përfaqëson palën shqiptare, dhe dy subjekte të tjera, “Turkish Airlines” dhe “MDN Investment”, përkatësisht me 49 dhe 41%. Sipas qeverisë, krijimi i kompanisë “Air Albania” do të ofronte më shumë mundësi për fluturime “low cost” nga Shqipëria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA