Pas një denoncimi në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” se në varrezat fshatit Biçukas të Divjakës eshtrat e të vdekurve kishin dal në sipërfaqe, grupi i xhirimit të emisionit investigativ udhëtoi drejt fshatit për të parë situatën nga afër.
Fshatarët e zonës dërguan në redaksinë e Fiksit foto ku tregoheshin kafka dhe eshtra mbi tokë. Në varreza Fiksi nuk gjeti banorë të ankoheshin, përveç personit i cili vetë kishte bërë groposjen e eshtrave.
Ai i tha gazetares së Fiksit se eshtrat kishin dalë në sipërfaqe dhe ai ishte munduar t’i groposte ato, por nuk kishte mundur shumë thellë. Banori i zonës tha se eshtrat ishin afër varreve të të afërmve të tij, prandaj kishte vepruar në këtë mënyrë, madje duke vendosur edhe gurë sipër eshtrave të mbuluara.
Gazetarja e Fiksit telefonoi menjëherë kryeplakun e fshatit Biçukas për ta pyetur nëse kishte dijeni për problemin, por përgjigja e tij ishte se ndodhej në Rinas dhe nuk mund të takohej me Fiksin. Pyetjes së gazetares se a është në dijeni për problemin e daljes së eshtrave dhe se a kishte komunikuar në bashki, kryeplaku u shpreh se vetëm një natë më parë e kishte marrë vesh dhe se atë paradite nuk kishte telefonuar njeri.
Fiksi iu drejtua Bashkisë së Divjakës për të komunikuar me kryetarin e saj. Menjëherë kryetari i bashkisë telefonoi kryeplakun duke i kërkuar arsyet se përse nuk ishte njoftuar nga ana e tij ndërkohë që u njoh me problemin vetëm nga ardhja e medias.
Përgjigja e institucionit të bashkisë nga koordinatori i marrëdhënieve me publikun e njëkohësisht juristi i bashkisë ishte se do bëhet menjëherë ndërhyrja në varrezat e fshatit. Ai deklaroi se do bëhej i mundur edhe pastrimi i varrezave, pasi punonjësit e komunales janë marrë më tepër me pastrimin e plazhit dhe turizmin.
Fiks Fare udhëtoi përsëri pas dy ditësh në Biçukas për të parë situatën nga afër dhe nëse ishte bërë ndërhyrja nga ana e bashkisë. Në varrezat e fshatit punonjësit e bashkisë po merreshin me pastrimin e territorit dhe kishin bërë hapur një varr për eshtrat që kishte groposur banori i zonës.
Nënkryetari i bashkisë falenderoi Fiksin për njoftimin mbi situatën dhe që vuri në lëvizje strukturat e bashkisë për të zgjidhur problemin.
Gjithashtu banori, i cili kishte bërë groposjen e eshtrave, kërkoi marrjen e masave që kjo situatë të mos përsëritej duke bërë rrethimin e varrezave.
Top Channel