Rikthehet “Peza N’Fest”, Veliaj: Dy ditë aktivitete për të gjitha grupmoshat

13/09/2018 18:00

Ashtu siç është bërë traditë tashmë, për të katërtin vit radhazi, Peza do të presë të shtunën dhe të dielën, më 15 dhe 16 Shtator, një sërë aktivitetesh që, jo vetëm evokojnë atë ngjarje të rëndësishme për historinë e luftës antifashiste, por edhe që do të krijojnë momente argëtimi të paharrueshme për të gjitha grupmoshat.

Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit premtojnë dy ditë të mbushura me shumë surpriza, ku nuk do të mungojë muzika, arti dhe sporti.

“Mendoni që festa e fshatit #VeraNeShesh e Ndroqit ishte SUPER? E vërtetë, por prit sa të rikthehet Festa e Pezës këtë fundjavë plot me histori, lojëra e aktivitete pafund për familjet e fëmijët! Plus është dhe fundjava e fundit para shkollës – një arsye më shumë!”, shkruan Veliaj në Facebook, ndërsa fton qytetarët e Tiranës që të bëhen pjesë e kësaj feste.

“Peza N’Fest 2018” nis të shtunën pasdite me muzikë nga një sërë këngëtarësh të talentuar si: Jonisa Lako, Henri nad the Band, Semi Jaupaj etj. Më pas do të vijohet me aktivitete të tjera si: Nata e gjelbër, Kinema nën yje, piknik, histori rreth zjarrit dhe lojëra sportive. Nata do mbyllet nga muzika e luajtur nga DJ Set nga Indripendent FX.

Ndërkohë që të dielën festa do të nisë që në orët e para të ditës teksa veteranë të luftës do të kujtojnë dhe nderojnë përpjekjen e pjesëmarrësve të Konferencës së Pezës për bashkimin e gjithë shqiptarëve dhe luftimin e pushuesit.

Banda e Qytetit, Ansambli Tirana, Cirku Kombëtar do të ofrojnë muzikë dhe shfaqje të ndryshme për të gjitha moshat. Ndërkohë që për më të vegjlit do të ketë një program të veçantë ku veç Teatrit të Kukullave, për ta do të ngrihet dhe qyteza e lojërave. Natyrisht që as këtë ditë nuk do të mungojë muzika dhe surpriza të tjera për të gjithë ata që të dielën kanë vendosur ta kalojë në Pezë.

Top Channel