FIFA po mendon për një ndryshim drastik në merkaton e futbollistëve. Mediet gjermane njoftojnë se, qeveria botërore e futbollit po mendon që të vendosë një limit prej 8 lojtarësh, që secili klub mund të dërgojë në formë huazimi në klube të tjera.
Numri i madh i lojtarëve që janë në pronësi të disa klubeve, kryesisht të Chelsea në Premier League dhe Juventusit në Serie A, po humbasin sensin sportiv.
Skuadra e Roman Abramovich ka lëshuar në huazim rreth 40 futbollistë këtë sezon, ndërkohë që kampionët e Italisë kanë lënë 26 lojtarë. Por, disa nga klubet e shfrytëzojnë këtë formë si mënyrë përfitimi financiar dhe jo sportiv.
Për këtë arsye, FIFA po mendon që të vendosë një limit maksimal prej 8 futbollistësh që mund të huazosh si profesionistë dhe një numër të palimituar për lojtarët që do të jenë nën moshën 21-vjeçare dhe që vijnë nga akademia e klubit.
Kjo do të jetë një formë që lojtarët e rinj të kenë mundësinë për t’u aktivizuar në klube të tjera, derisa të formohen profesionalisht. Një nga përfaqësuesit e klubit gjerman të Eintrachtit të Frankfurtit, Fredi Bobiç ka bërë të ditur se disa klube, duke përmendur në mënyrë të veçantë Juventusin, kanë katalog të ndryshëm me futbollistë që të vënë në dispozicion për të zgjedhur.
Vetëm sezonin e shkuar, bardhezinjtë – sipas “Transfermarkt”, – kishin dhënë në huazim 45 lojtarë. Shifra të tilla e bëjnë një klub si një korporatë që merret me shitblerje, më tepër sesa një skuadër futbolli me qëllime sportive.
Megjithatë, ndryshimet e tilla që duket se janë propozuar tashmë zyrtarisht, pritet të marrin një rrjedhë zyrtare në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Por, këto ndryshime po shtyhen fort nga drejtuesit e Bundesligës gjermane, që janë më të penalizuar nga kjo lëvizje e lojtarëve dhe nga çmimet shumë të larta të futbollistëve që po qarkullojnë vitet e fundit.
Kjo ndërhyrje në tregun e futbollit kërkohet të bëhet sa më shpejt, për të mos u përsëritur një tjetër fenomen si ai i Parmës në vitin 2013, skuadër që sipas “Transfermakt” kishte 379 lojtarë.
Top Channel