Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “Preçizioni” ka vënë në pranga ditën e sotme një tjetër pjestar të një grupi të strukturuar kriminal në fushën e narkotikëve.
Policia bën të ditur se në pranga është vënë 32-vjeçari Besmir Lupi, lindur dhe banues në Vlorë.
Sipas policisë, kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë Nr.96 datë 11.05.2018, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”.
Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar më parë nga Policia turke edhe kreu i grupit të strukturuar kriminal Met Kanani.
Si funksiononte grupi i Kananit?
Klinsi Aliaj, 23 vjeç, gjatë hetimeve të zhvilluara nga prokurorja Elisabeta Imeraj del i implikuar në përgjime. I riu përmendet gjatë komunikimeve telefonike të anëtarëve të bandës nga i dyshuari tjetër, Mentor Muça.
Ai merr përsipër të transportojë hashash me një kamion nga Maqedonia drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ky episod bën fjalë për ngjarje të ndodhura në 26 shkurt 2018, kur thuhej se droga do të kalonte kufirin e gjelbër me mushka, e më pas do të transportohej me një kamion tjetër nga Klinsi Aliaj deri në Strugë.
Prokurorja Elisabeta Imeraj tha se grupi, i cili ka deri më tani 38 anëtarë të arrestuar në vende të ndryshme ka si udhëheqës Met Kananin, Bilbil Heqimin dhe Arvanit Ulndreaj.
Në hetimet që përfshinë Greqinë, Turqinë, Bullgarinë por edhe DEA-n amerikane, vetëm në një episod mes kufrit me Bullgarinë dhe Maqedoninë grupit i janë sekuestruar mbi tetë tonë kanabis.
Rasti më i fundit i goditjes së grupit, tha prokurorja Imeraj, ndodhi në 19 mars 2018 , ku u bllokuan 1.1 tonë drogë dhe mes 11 shqiptarëve të arrestuar u kap edhe baroni i drogës Met Kanani.
Ky i fundit shfaqet shpesh në komunikime telefonike me anëtarët duke folur herë shqip, herë anglisht e herë spanjisht.
Pikërisht gjatë këtyre bisedave shfaqet edhe e dashura e Met Kananit, e cila aktualisht është në kërkim. Ajo quhet Serenela dhe në një rast Met Kanani i raporton asaj se Aliu i kishte kërkuar të shkonte në Ekuador.
“Shko!” i thotë Serenela. Komunikimi i fundit me të kërkuarën misterioze ndodhi tre ditë para se Met Kanani të arrestohet në Turqi.
Top Channel