Digjitalizimi, detyrim europian. Ligji u miratua në 2012. Shqipëria u kritikua për vonesën

12/09/2018 15:03

Ndërprerja e transmetimeve televizive në sistemin analog dhe kalimi i tyre në digjital është një proces i detyrueshëm për të gjitha vendet europiane, gjithashtu edhe për Shqipërinë, që ka nisur shumë vite më parë.

“Me marrëveshjen e Gjenevës 06, ITU-ja, një organizëm i Kombeve të Bashkuara që merret me rregullimin e rrjeteve, ka vendosur që teknologjia digjitale do të aplikohet në të gjitha shtetet e Bashkimit Europian. Kjo marrëveshje është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2007”, shprehet Gentian Sala, kreu i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

Për shkak të këtij detyrimi ndërkombëtar, në maj të vitit 2012, qeveria e atëhershme e Partisë Demokratike miratoi Strategjinë Kombëtare të Digjitalizimit, ku përcaktoi me ligj se pas qershorit 2015 asnjë televizion shqiptar nuk do të mund të transmetonte më në analog, por të gjitha duhet të kalonin në teknologjinë digjitale.

“Pra, ne sot që flasim jemi mbi 3 vite me vonesë dhe arsyeja është sepse administrata e mëparshme e AMA-s nuk është konsultuar me operatorët në treg”, shpjegon Sala.

Vendimi i vitit 2012 nuk përcaktoi vetëm afatin e kalimit në transmetimet digjitale, por edhe të gjitha procedurat si dhe teknologjinë që do të përdorej: “Janë përcaktuar rrjetet, mënyra e ndarjes së tyre, teknologjia DVB-T2 dhe fushata e informimit me detaje se si do të vijojë”.

Për shkak të vonesës në zbatimin e ligjit, Shqipëria ka marrë jo pak vërejtje nga Bashkimi Europian. Përballë këtij detyrimi, në prill të vitit 2016, autoritetet nisën fushatën për informimin e qytetarëve.

“Dy vjet fushatë informimi si asnjë vend tjetër, ndërkohë që qeveria ka blerë 88 mijë dekodera për familjet në nevojë. Askush nuk e ka bërë këtë”, thotë kreu i AMA-s.

AMA vendosi që të mbajë edhe 4 muaj transmetimet analoge, në mënyrë që banorët e Tiranës dhe Durrësit të përgatiten. Dekoderat DVB-T2 shiten nga të paktën 9 operatorë. Për familjet në nevojë janë dhënë 88 mijë dekodera falas.

Por, nëse keni në përdorim një televizor të gjeneratës së fundit, nuk është nevoja e një dekoderi. Tirana dhe Durrësi janë ndër të fundit zona që vijojnë transmetimet analoge.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA