Vettingu i politikanëve ka përplasur për herë të parë në një studio televizive PS dhe PD kur kjo e fundit, pak ditë më parë, depozitoi nismën për ndryshim të kushtetutës për të finalizuar atë që ata e shohin si shkëputjen e politikës me krimin.

Deputetja e PD, njëkohësisht pjesë e grupit të dekriminalizimit politik, Dhurata Çupi, deklaroi në studion e Top Show se mazhoranca nuk ka vullnet për të finalizuar nismën e PD-së. “Ne kemi një mazhorancë që pranon pa frikë se jam shok ose vëlla me kriminelin”, tha Çupi.

Replikat nuk kanë munguar me deputeten socialiste Ermonela Felaj: “Ju keni një draft që lë për të dëshiruar. Ne kemi institucione që hetojnë politikanët. Ato janë SPAK dhe BKH”, pohoi kryetarja e komisionit të sigurisë në studion e “Top Show”.

Ndërkohë, analistit Afrim Krasniqi, u shpreh se “nisma e opozitës është gjetje e duhur sepse e la në hije gjumin veror të saj”. “Nisma e PD-së është e drejtë, por mekanizmi është i pamundur. Thjesht partitë politike po mundohen të fitojnë kredenciale politike. Ne nuk kemi një draft të përfunduar, është thjesht retorikë politike. Tani të dyja palët po mundohen të fitojnë kredenciale te qytetarët sepse e panë që ata e duan këtë gjë. Kjo gjë nuk mund të bëhet sepse kërkon ndryshim Kushtetute dhe gjithashtu duhet të shprehet Komisioni i Venecias”.

Analisti Alfred Lela iu drejtua deputetes së PS duke i thënë: “Deklaratat kontradiktore të Ramës, ju nxorën bllof. Rëndësi ka parimi që PD ka për pastrimin e politikanëve nga korrupsioni”, u shpreh analisti.

Top Channel