Top Channel rikthehet, rindizen antenat analoge. Edhe 4 muaj për t’u pajisur me dekodera

11/09/2018 19:54

Kryetari i Autoritet të Mediave Audioizive, Gentian Sala i dha fund kaosit të krijuar nga procesi i dixhitalizimit në Tiranë dhe Durrës.

“Nuk na duket normale që me dhjetra qytetarë të rrinë në radhë para dyqaneve për të blerë dekodera, për të marrë një të drejtë elementare për informim”, deklaroi Sala.

Top Channel u rikthye për t’u ndjekur sërish në Tiranë dhe Durrës, pasi AMA vendosi rindezjen e antenave analoge. Të dy këto qytete kanë numrin më të madh të përdoruesve të aparateve televizive. Të ndezura antenat analoge do të qëndrojnë deri në 15 janar, më pas do të rifiken, por në këto 4 muaj do u jepet mundësi të gjithëve që të pajisen me dekodera pranë Digitalb-it, për të vijuar ndjekjen e Top Channel me cilësi shumë më të mirë transmetimi.

Menjëherë pas vendimit, reagoi kryeministri Edi Rama, i cili e përshëndeti zgjatjen e afatit. Kreu i qeverisë ka vlerësuar këtë vendim duke thënë se “zbatimi i normës europiane është një domosdoshmëri, por nuk fiket sistemi i vjetër pa siguruar akses për këdo në sistemin e ri”.

Ndërkohë, opozita tregoi edhe një letër dërguar AMA-s, ku në të ngrinte shqetësimin se qindra ankesa të tjera u kanë shkuar deputetëve, përpos 900 ankesave drejtuar AMA-s nga ndërprerja e transmetimeve mëngjesin e kësaj të hëne.

Vendimi për shtyrjen e afatit deri në fund të këtij viti, sipas letrës së opozitës, ishte kërkesë e tyre shprehur në mbledhjet e Komisionit për Informimin Publik.

Top Channel