Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, reagoi pasditen e sotme pasi më herët PD depozitoi në Kuvend, pr/ligjin për Vettingun e politikanëve, ndërsa në një deklaratë Salianji u shpreh se vettingu në politikë ecën paralelisht me vettingun në drejtësi.

Në deklaratë, Spiropali thotë se propozimi i Partisë Demokratike minon reformën në drejtësi. “Propozimi i tyre është të marrësh reformën nê drejtësi dhe ta grisësh. Luli mund të ketë frikë nga SPAK-u e BKH, por kjo nuk është arsye qe ne ti vëmë shkelmin vetingut që njësoj siç po pastron drejtësinë nga të korruptuarit e të paaftët, do pastrojë edhe politikën”, tha Spiropali.

Ndër të tjera, deputetja e PS u shpreh se mazhoranca e do vettingun dhe janë të hapur për të biseduar, “por një vetting për të qenë”.

“Ne prisnim nga PD të dëgjonim se si do bënin vetingun e politikanëve, por edhe të vëllezërve, motrave, kunetërve, fëmijëve, baxhanakërve të politikanëve. Por ata thonë jo. Ne presim që politikanët jo vetëm të shkëputen nga lidhjet me krimin, por edhe të kalojnë në sitë për të ardhurat dhe pasuritë, Luli thotë jo! Ne duam që ata që nuk e kalojnë vetingun të përballen me drejtësinë, Luli thotë jo. Shqiptarët duan që vetingun e politikës ta bëjë drejtësia e pavarur, Luli thotë jo. Luli do që kontrollin t’ia bëj Salianji me Klevisin. Kjo nuk është drejtësia që duam. Ne duam veting dhe jemi të hapur për të biseduar, por një veting për të qenë. Ata thonë hajde votojmë diçka që vetë thonë se nuk është gati. E që për më tepër, propozimi i tyre është hap pas”, tha Spiropali.

Top Channel