“Guardia di Finanza” e Bergamos ka ekzekutuar 7 urdhërarreste në ngarkim të eksponentëve të lartë të një organizate kriminale të përbërë nga italianë e shqiptarë, të dyshuar për zhvatje, grabitje, plagosje, shpërndarje lëndësh narkotike, vjedhje, kërcënime dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit.
Vendimi i një gjykatësi të Gjykatës së Bergamos i jep fund kështu një hetimi delikat të zhvilluar nga specialistë të krimit ekonomik në qytetin verior, në vazhdën e të cilit dhe përmes operacioneve të mëparshme janë arrestuar edhe 6 anëtarë të tjerë të grupit kriminal.
Të arrestuarit, që të gjithë me precedentë të mëparshëm penalë, përfshi këtu edhe organizatë kriminale mafioze apo vrasje, operonin në territorin e Orobias në dëm të sipërmarrësve, ndaj të cilëve përmes shfrytëzimit të dhunës iu imponohej pagesa e shumave të majme parash me justifikimin e “mbrojtjes” së aktivitetit të tyre.
Hetimet kanë qenë të gjata dhe të vështira, madje kishte edhe momente të rrezikshmërisë së lartë, si në rastin kur efektivë të “Guardia di Finanza”-s i shpëtuan një atentati për shkak të bllokimit të armës së agresorit, i cili është identifikuar dhe arrestuar.
Pjesë e bandës ishin edhe 3 shtetas shqiptarë, të arrestuar në operacionin e sotëm, të cilët akuzohen për shpërndarje narkotikësh, së bashku me një person të katërt të dyshuar për krime që lidhen me ligjin e emigracionit.
Top Channel