Opozita u rikthye në Kuvend për herë të parë që nga nisja e sesionit të ri parlamentar. Jo duke marrë pjesë në komisionet ku deputetët e saj janë anëtarë, por me mbledhje paralele të katër grupeve të përbashkëta PD-LSI, të ngritura për të plotësuar me ide 4 shtyllat e platformës së shpallur nga Lulzim Basha.

Një prej tyre është grupi për vetingun e politikanëve që koordinohet nga Ervin Salianji, i cili kur u pyet nga gazetarët se kujt mendonte opozita t’ia besonte këtë vetting, nuk ishte në gjendje të shfaqte asnjë ide. Duke anashkaluar detyrimin që ka për të qartësuar publikun mbi nismën e partisë së tij, deputeti Salianji e kushtëzoi atë me votën e mazhorancës.

“Padiskutim që kemi një plan të detajuar. Do ju bëhet me dije sapo Qeveria të shprehet nëse e do vettingun apo jo. Nuk ka negociata kjo ka vetëm votim. Po ose jo. Nëse votohet do të shpalosim të gjitha procedurat e tjera”, u shpreh Ervin Salianji.

Gazetarët ngulën disa herë këmbë duke i kërkuar shpjegime deputetit demokrat, të cilit i sqaruan gjithashtu se nisma kushtetuese e Partisë Demokratike linte shumë pikëpyetje. Në mungesë të ideve mbi vettingun e politikanëve, Salianji u dha leksione gazetarëve se çfarë përbën shërbim ndaj publikut.

“Kemi propozuar një projektligj, i cili parashikon të gjitha ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të bërë vettingun e politikaneve. Çdo teknikalitet i sotëm është jo në shërbim të publikut.”, tha Ervin Salianji.

Një tjetër grup i opozitës është ai që synon të evitojë atë që PD e quan kapje të drejtësisë, e që ka koordinator Enkelejd Alibeajn.

“Jemi kthyer 46 vite prapa me një sistem që i mungon minimumi bazë i demokracisë, ndarja e pushteteve. Drejtësia e kapur nga qeveria, qeveria e kapur nga krimi”, tha Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj pohoi se hapat e ardhshme të opozitës do të përcaktohen në mbledhjet e tjera të këtyre grupeve, me të cilat duket se opozita po kërkon të zëvendësojë komisionet e Parlamentit.

Top Channel