Ajo është momentalisht adoleshentja më e famshme në Ballkan. Inis Neziri, 17-vjeçarja nga Shqipëria, është fituese e çmimit të madh në Festivalin Ndërkombëtar “Dreri i Artë” në Rumani.
Nuk i është dashur aspak të mësojë gjuhën për të hyrë në zemrat e rumunëve, sepse kënga e saj “Piedestal”, edhe pse është kënduar në gjuhën shqipe, ka triumfuar mes këngëve konkurruese.
“Ky çmim është tepër i rëndësishëm për mua, sepse është një nga hapat më të mëdha që kam bërë në jetë për shkak se ‘Dreri i Artë’ është një festival ndërkombëtar dhe shumë prestigjioz. Kishte rreth 9 vite që nuk bëhej për shkak të fondeve që Rumania nuk i kishte, por ishte edhe 50-vjetori i Festivalit dhe 100-vjetori i Rumanisë. Duke fituar këtë çmim, besoj se bëra një hap të madh në karrierën time. Jam shumë krenare dhe ende më duket sikur po e ëndërroj këtë pjesë”, tha Inis Neziri, këngëtare.
Inisi nisi të këndonte kur ishte vetëm 2 vjeç, për t’u afirmuar zyrtarisht në skena të vërteta muzikore 5 vite më parë, kur ishte 12 vjeç. “Dreri i Artë” për të është vetëm fillimi i të ardhmes që dëshiron ta projektojë larg Shqipërisë.
“Tani pres dhe shpresoj që të iki jashtë e të bëj një karrierë andej. Pse jo në Shqipëri? Sepse mundësitë janë shumë të vogla dhe jashtë kemi më shumë hapësirë”, tha ajo.
Top Channel