Ndeshja që do të ketë vëmendjën më të madhe mbrëmjen e kësaj të hëne në Ligën e Kombeve është ajo që do të luhet mes Portugalisë dhe Italisë.
Skuadra kampione në fuqi e Europës vjen në këtë sfidë pas barazimit 1-1 në miqësoren me Kroacinë, ndërkohë që edhe Italia shënoi të njëjtin rezultat në sfidën me Poloninë, por që ishte e vlefshme për turneun më të ri të UEFA-s.
Në përballjet e drejtpërdrejta, Italia ka një avantazh të dukshëm kundrejt luzitanëve. Kjo e mbrëmjes së sotme do të jetë sfida e 26 mes Italisë e Portugalisë. Në 25 sfidat e mëparshme, “të kaltrit” kanë regjistruar një bilanc me 18 fitore kundrejt 5 humbjeve, ndërkohë që dy ndeshje kanë përfunduar në barazim.
Edhe në përballjen e sotme, Portugalia nuk do të ketë në fushën e lojës yllin e saj më të rëndësishëm, Cristiano Ronaldon. Vendin e tij, në skemën 4-3-3 të Fernando Santos, do ta marrë Andre Silva. Dyshimet e trajnerit portugez janë në mesfushë, ku Ruben Neves është shfaqur në formë të jashtëzakonshme dhe mund të zëvendësojë ndonjë prej lojtarëve të “trinomit” Sanches-Carvalho-Fernandes.
Në krahun tjetër, Roberto Mancini bën disa ndryshime në krahasim me sfidën me Poloninë. Zappacosta e Balotelli përfundojnë në tribunë, pasi nuk janë në formën e tyre optimale. Në mbrojtje ka balotazh mes Lazzarit dhe Caldarës, me të parin që ka një avantazh të lehtë. Ndërsa Bonaventura do të ndihmojë Jorginhon në mesfushë. Sulmi do të përbëhet nga Immobile e Belotti, që do të ndihmohen edhe nga Federico Chiesa.
Top Channel