Kreu ekzekutiv i gjigantit kinez të shitjeve “online”, “Alibaba”, Jack Ma ka njoftuar planet për të dhënë dorëheqjen nga posti pas një viti, në shtator të 2019-s.
Pas raportimeve konfliktuale të së shtunës së kaluar mbi momentin se kur do të jepej dorëheqja, tashmë gjërat janë sqaruar përmes një letre të dërguar nga Jack Ma për klientët dhe aksionerët e “Alibaba”.
Ma, një nga njerëzit më të pasur të Kinës, do t’ia dorëzojë “çelësat” shefit aktual ekzekutiv, Daniel Zhang. “Alibaba” është një nga kompanitë me vlerën më të madhe në botë, teksa vetëm gjatë vitit të kaluar aksionet e saj thuajse u dyfishuan.
46-vjeçari Zhang është edhe nismëtari i promocionit “Singles’ Day” të kompanisë, një nga ngjarjet më të mëdha në botë 24-orëshe të shitjeve me pakicë. Zhang pritet të bëhet kështu kreu ekzekutiv i kompanisë më 10 shtator të vitit të ardhshëm, siç njofton vet kompania. Periudha njëvjeçare e kalimit të frerëve të kompanisë synon të arrijë një “tranzicion të butë e të suksesshëm”, thuhet në komunikatën e saj.
Jack Ma, dikur mësues anglishteje, bashkëthemeloi “Alibabën” në vitin 1999 dhe e pa atë të bëhet një nga kompanitë më të mëdha të shitjeve në internet në botë.
Lexo edhe:
Dorëhiqet kreu ekzekutiv i Alibaba, Jack Ma: Fokusohem te filantropia dhe mësimdhënia
“Mësuesit dëshirojnë gjithmonë që studentët e tyre t’ua kalojnë, kështu që gjëja më e përgjegjshme për mua dhe për kompaninë është t’u bëj vend më të rinjve dhe më të talentuarve në postet drejtuese”, tha Ma në letrën e publikuar pikërisht në 54-vjetorin e tij të lindjes.
Jack Ma, i cili ka një pasuri të përllogaritur prej 36.6 miliardë dollarësh, do të mbetet pjesë e bordit të drejtorëve të “Alibabës” deri në takimin e përvitshëm të aksionerëve në vitin 2020. Karizmatik sa më s’ka, i njohur edhe për veshjen shpeshherë si një yll “rock”-u, Ma ka thënë se dëshiron t’i rikthehet mësimdhënies.
“Bota është e madhe dhe unë jam ende i ri, kështu që dua të provoj gjëra të reja”, tha ai, duke shtuar se planifikon t’i hyjë edhe rrugës së filantropisë. “E vetmja gjë që mund t’iu premtoj të gjithëve është se, Alibaba nuk ka qenë kurrë diçka rreth Jack Ma, por Jack Ma do t’i përkasë gjithmonë Alibabës”.
Sipas tij, Zhang, i cili punon për “Alibabën” prej 11 vitesh, ka treguar “një talent të jashtëzakonshëm” që prej marrjes së rolit të shefit ekzekutiv. “Alibaba” u listua në bursën e Nju Jorkut në vitin 2014.
Javën e kaluar, Jack Ma i tha “Bloomberg TV” se dëshironte të krijonte një fondacion personal, duke ndjekur gjurmët e shefit të Microsoftit, Bill Gates.
“Ka shumë e shumë gjëra që mund të mësoj prej Bill Gates. Nuk mund të bëhem kurrë aq i pasur sa ai, por gjëja e vetme që mund të bëj më mirë sesa ai është të tërhiqem më herët. Mendoj se do të vijë dita, shumë shpejt madje, që do t’i kthehem sërish mësimdhënies. Kjo është një gjë që më bën të mendoj se mund ta bëj shumë herë më mirë sesa të jem shef ekzekutiv i Alibabës”.
Jack Ma e ka nisur jetën profesionale duke dhënë mësim anglishteje në një universitet të qytetit Hangzhou, në provincën lindore të Zhejiangut. Ndërsa “Alibabën” ai e themeloi nga dhoma e tij e apartamentit në Hangzhou, së bashku me një grup miqsh.
Top Channel