Tiranë, një rruge i vihet emri “Alessandro Leogrande”. Veliaj: Mirënjohje humanizmit të tij

08/09/2018 13:35

Një nga rrugët e Parkut të Liqenit, në kryeqytet, do të mbajë nga sot emrin e një shkrimtari dhe gazetari të njohur italian, i cili ka shkruar e rrëfyer jetën dhe peripecitë e emigrantëve shqiptarë në fqinjin e përtej Adriatikut, Alessandro Leogrande.

Tabela me emrin e tij u zbulua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, miq dhe kolegë të gazetarit e shkrimtarit të njohur, gjatë një ceremonie të posaçme të organizuar te Parku i Liqenit.

“Jam shumë krenar, që me miratimin e Këshillit Bashkiak kemi vendosur të emërtojmë ‘Alessandro Leogrande’ një nga rrugicat më të bukura të Parkut të Liqenit, si një shenjë mirënjohjeje për të gjithë kontributin e tij në gazetari, por mbi të gjitha për humanizmin e tij, sidomos në çështjet e shqiptarëve, të emigrantëve, të të huajve, të atyre që janë më të dobët dhe që kanë nevojë për një avokat, siç ishte ai”, tha Erion Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se janë pikërisht njerëzit, ata që afrojnë më shumë qytetet dhe popujt me njëri-tjetrin, ndërsa theksoi se përmes veprës së tij, Alessandro Leogrande i la një pajë të rëndësishme shoqërisë.

“Jam i sigurtë që miku im Alberto bie dakord, kur themi se është shumë e rëndësishme që shtetet të bashkëpunojnë, që qytetet të binjakëzohen. Por në fund të ditës e kuptojmë se janë njerëzit, ata që bëjnë diferencën, janë ata që realisht afrojnë popujt. Miku ynë, gazetari i njohur italian Leogande i jetoi 40 vitet me shpejtësinë e një Ferrari, bëri distanca që shumicës prej nesh nuk i mjaftojnë as 100 vite për t’i përshkuar. E teksa unë i afrohem 40-vjeçarit tim, mendoj se kam bërë kaq punë, kam dhënë këto ide, kam shkruar, kam lënë një pajë, e besoj se është apel për këdo prej nesh për të reflektuar mbi jetën e vet, çfarë bëjmë me ditët tona”, shtoi Veliaj.

Ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo e vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për të nderuar gazetarin e njohur, përmes emërtimit të një prej rrugëve ku e gjithë Tirana takohet dhe jeton.

“Jam shumë i lumtur dhe i prekur që jam këtu me kryetarin e Bashkisë dhe me të gjithë ju sot. Për mua, Alessandro Leogrande, të cilin e njoh nëpërmjet veprave të tij, është një personazh që simbolizon këtë afërsi mes dy popujve tanë, mes dy vendeve tona. Mund të them se do të ndihej shumë i kënaqur të dinte se emri i tij, figura e tij janë sot të lidhura me këtë rrugë, këtë park të mrekullueshëm dhe mbi të gjitha, siç po thoshte kryebashkiaku, një vend ku e gjithë Tirana takohet dhe jeton jetën e saj”, u shpreh Cutillo.

Themeluesi i revistës “Lo Straniero”, Goffredo Fofi, dhe njëkohësisht një nga miqtë e tij më të mirë, u shpreh se një prej gjërave që ka mësuar prej tij ka qenë pikërisht dashuria ndaj Shqipërisë.

Alessandro Leogrande, një nga zërat më autoritarë të medies italiane, ishte shkrimtar dhe gazetar, por mbi të gjitha një intelektual, që zotëronte virtytin e rrallë për të rrëfyer realitetin dhe historitë me kthjelltësi, analizë dhe në të njëjtën kohë në mënyrë poetike.

Drejtor i të përmuajshmes “Lo Straniero”, ai mbulonte gjithashtu rubrika të përjavshme në “Corriere dell Mezzogiorno” dhe “Il Fatto Quotidiano”. Ai ishte reporter i problematikave të ndryshme të aktualitetit, si lëvizjet e protestës, shfrytëzimit të punës së papaguar të emigrantëve në Itali, etj.. Gjithashtu, ai është autor i shumë librave si “Mbytja e anijes”, “Adriatiku” dhe “Kufiri”, emblema të vërteta të romanit-reportazh, të përkthyera edhe në shqip.

Top Channel