Salianji: Maxhoranca po liron banditët në Lezhë. Vettingu i politikës është jetik

08/09/2018 13:22

Partia Demokratike akuzon maxhorancën se ka liruar me urdhër politikë “banditët në Lezhë”, sipas deputetit demokrat Ervin Salianji.

Në një dalje për mediat ai tha se faza e dytë e dekriminalizimit, vetingu i politikës, është jetikë për çlirimin e qeverisë nga krimi.

“Dy ditë më parë, të enjtën qytetarët kanë telefonuar në sallën operative të Policisë së Shtetit për të denoncuar një shkëmbim zjarri tek zona e njohur si Rana e Hedhun. Patrulla policore ka bërë ndalimin e personave me inicialet E.S. nga Lezha, F.F. nga Shkodra dhe I.S. nga Kopliku. Pas kontrollit atyre iu gjetën armë zjarri, një foto prej të cilave Partia Demokratike e disponon. Njësoj si në rastin e Shkodrës, ku për 6 vrasje dhe 2 rrëmbime nuk ka autor, edhe për shkëmbimin e zjarrit në Lezhë, krimi ka dalë mbi forcën e ligjit. Pavarësisht se policët e thjeshtë, ata që po i nënshtrohen vettingut, kanë kryer të gjitha veprimet proceduriale, kriminelët janë liruar pas një telefonate nga Ministria që drejton Fatmir Xhafaj, i cili refuzon t’i nënshtrohet vettingut njësoj si policët”, tha Salianji.

Sipas tij kjo është situata me të cilën përballën çdo ditë ata policë që luftojnë krimin. “Prandaj, është jetike miratimi sa më shpejt i fazës së dytë të dekriminalizmit, që do të pastrojë qeverisjen nga krimi. Partia Demokratike është e vendosur të luftojë në çdo kohë të gjithë politikanët e lidhur me krimin, duke i larguar ata nga politika dhe për t’i nxjerrë para drejtësisë”, përfundon ai.

Top Channel