Shtëpia e Bardhë “vlon” për demaskimin e autorit anonim. Pence-Pompeo distancohen

06/09/2018 16:59

Zv.presidenti Mike Pence dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo kanë mohuar njëzëri të kenë shkruar ndonjë “opinion” anonim shpërthyes, që tregonte sesi një “rezistencë” e brendshme po punonte për të penguar pjesë të agjendës së presidentit Donald Trump, në një kohë kur Shtëpia e Bardhë po kërkon medoemos të gjejë autorin.

Trump reagoi më tërbim të madh ndaj artikullit anonim të publikuar nga “New York Times” gjatë së mërkurës, i cili është shkruar nga një zyrtar aktual i administratës së tij dhe pretendonte se një koalicion i brendshëm në Shtëpinë e Bardhë po punonte për të penguar “prirjet e tij më negative” derisa ai të largohej, apo të rrëzohej, nga Presidenca.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u tall me artikullin duke thënë se “anonim do të thotë i paguximtë”, ndërsa kritikoi ashpër “New York Times” që e publikoi atë, duke këmbëngulur se “ashtu sikurse ata nuk e duan Trumpin, edhe unë nuk i pëlqej ata sepse janë njerëz të pandershëm”.

“Nëse personi i paguximshëm anonim ekziston vërtet, NYT duhet për qëllime të Sigurisë Kombëtare ta demaskojnë atë përballë qeverisë, të paktën një herë të vetme”, shkroi Trump në “Twitter” mbrëmjen e së mërkurës (mëngjesin e së enjtes me orën tonë).

Pompeo, i cili ndodhet për vizitë në Nju Delhi të Indisë, u tha reporterëve se ai artikull nuk ishte i tiji, mes spekulimeve “të përgjakshme” që pushtuan Uashingtonin për gjetjen e autorit.

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë për Shtypin, Sarah Huckabee Sanders e quajti “frikacak” atë që e ka shkruar opinionin, madje kërkoi që “gjëja më e drejtë që mund të bëjë ai apo ajo është të dorëhiqet”.

Pompeo tha se “nuk duhet të habitet askush” nga fakti që “NYT” zgjodhi ta botonte “një vepër të tillë” dhe se, nëse ai artikull ishte shkruar me të vërtetë nga një zyrtar i lartë amerikan, media në fjalë nuk do t’ia hedhë pa lagur për “zgjedhjen e fjalëve të një aktori të pakënaqur, mashtrues dhe të keq”.

Pompeo vijoi më tej me akuzat ndaj medies se po përpiqet të minojë administratën “Trump” dhe e konsideron këtë gjë “ekstremisht shqetësuese”.

Në rrjetin social “Twitter”, shumë vetë debatuan mbi rëndësinë e përdorimit të fjalës “parim udhëheqës” nga autori anonim, që koinçidon me fjalën e përdorur shpesh në fjalimet e tij nga zv.presidenti Mike Pence.

“Zv.presidenti vendos gjithmonë emrin në opinionet e tij. NYT duhet të turpërohet, sikurse edhe personi i paguximtë që ka shkruar opinionin fals, të palogjishëm dhe të pabazuar. Zyra jonë qëndron larg akteve të tilla amatoreske”, njoftoi përmes një deklarate në “Twitter”, zyra e zv.presidentit Pence.

Edhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare (Shërbimit Informativ Kombëtar), Daniel Coats dha një deklaratë ku mohonte autorësinë, duke hedhur poshtë spekulimet se ai ose zëvendësi i tij mund të jetë autor i opinionit.

Top Channel