Më 30 prill, Arjan Ndoci, i cili mbante edhe 5 emra të tjerë u arrestua së bashku me Julian Deblinin në Madrit si trafikues të 1 tonëve kokainë nga Kolumbia në Spanjë dhe një shume “cash” prej 1.5 milionë eurosh.
4 muaj më vonë, Policia e Shtetit dhe prokuroria për krime të rënda njoftuan sekuestrimin e aseteve me vlerë 5 milionë euro në pronësi të 41-vjeçarit Ndoçi nga Laçi dhe 35-vjeçarit Deblini nga Lezha.
Sipas policisë, këta 2 shtetas janë anëtarë të një grupi kriminal që zhvillonte prej kohësh trafik të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Europës.
Nga hetimet e autoriteteve shqiptare ka rezultuar se të ardhurat nga aktiviteti i tyre kriminal, ata i kishin investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në llogari bankare, për vete dhe për familjarët e tyre si dhe në disa raste duke i fshehur ato në emra të afërmve.
Kryesisht investimin e kishin bërë në Tiranë, por edhe qytetet të tjera të vendit. Përveç llogarive bankare, në sekuestro janë vënë, aksionet e një shoqërie tregtare me aktivitet në fushën e ndërtimit, 9 apartamente, 2 njësi tregtare, 4 garazhe dhe 3 automjete.
Policia e Shtetit thotë po vijojnë hetimet se bashku me autoritetet spanjolle dhe amerikane për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të fuqishëm të trafikimit të kokainës.
Top Channel