Bota feston këtë të enjte ditëlindjen e Jane Addams. Gruaja, që la trashëgimi një sërë vlerash, jetoi në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shekullit XX. Puna e nobelistes së parë femër amerikane në vitin 1931 rezonon edhe sot. Punonjëse sociale dhe aktiviste janë disa nga titujt që vlejnë për të.
Vendbanimi social me emrin “Hull House”, që ajo krijoi në vitin 1889, mbështeti mijëra njerëz, kryesisht emigrantë të varfër dhe të privuar, duke u konsideruar si modeli i komuniteteve të ngjashme për të ardhmen.
Megjithëse studioi mjekësi, ajo e kuptoi herët që kjo nuk ishte thirrja e saj e brendshme.
Në mënyrë shumë origjinale, Jane ishte pioniere në dhënien e emigrantëve dhe të varfërve qasje ndaj artit, duke iu pështatur nevojave të komunitetit me kohën. Gjithashtu, ajo sfidoi zyrtarët e korruptuar socialë, hetoi çështjet e shëndetit dhe loboi kundër ligjeve të padrejta.
Sot, trashëgimia e kësaj gruaje jeton ende, që nga gjykata e të miturve, ligjet e punës, terrenet sportive e deri te punët publike. E quajtura si “Nëna e Punës Sociale”, ajo përcaktoi një standard sesi mund t’i ndihmojmë të tjerët.
Një pacifiste e mirënjohur, ajo protestoi kundër hyrjes së SHBA në Luftën e Parë Botërore, e cila e hodhi poshtë popullaritetin e saj dhe nxiti kritika të ashpra në shtyp.
Addams, megjithatë, besonte se qeniet njerëzore ishin të afta të zgjidhnin mosmarrëveshjet pa dhunë. Ajo shkroi gjithashtu një libër për punën e saj, si dhe libra të tjerë që nxisin paqen. Pas një sulmi në zemër në vitin 1926, ajo nuk mundi kurrë të shërohej plotësisht, derisa u shua më 1935-n.
Top Channel