Rreth 3 milionë euro është fondi limit për stabilizimi i rrëshqitjes së dherave në pjesën e përfunduar të rrugës Tiranë-Elbasan.

Segmenti i marrë në dorëzim nga qeveria shqiptare dhe paratë për tenderin do të jepen nga buxhetit i shtetit.

Gara e prokurimit zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar është mbyllur në fillim të shtatorit dhe duhet disa javë për shpalljen e fituesit.

Me përfundimin e kësaj procedure, do të nisin punimet të cilat do të zgjasin katër muaj sipas njoftimit të tenderit.

Skenari më optimist është që hapja e rrugës të bëhet në pranverën e ardhshme, gjithmonë nëse zbatohen afatet e parashikuara në kontratë.

Sipas projektit parashikohet hapja e një gjysmë tuneli panoramik të shkurtër në korsinë e mbuluar nga dherat. Këto janë skicat sesi do të bëhet ndërhyrja në faqen e kodrës.

Që prej dhjetorit të 2017-s në pjesën ku ka ndodhur rrëshqitja e shkëmbit pranë fshatit Mamel kalohet vetëm në një korsi.

Kjo është shembja e tretë e regjistruar në këtë aks që ka çuar në bllokimin e qarkullimit, pas shembjes së madhe të kodrës në Ibë dhe një shembjeje të dytë pak më tej.

Por kostot e rrugës Tiranë-Elbasan nuk përfundojnë këtu. Gati një vit pasi dha 35.1 milionë dollarë mbi vlerën e tenderuar, qeveria do të akordojë një tjetër fond shtesë për ndërtimin e rrugës. Janë 16 milionë dollarë kredi që dhëna nga institucione financiare ndërkombëtarë për përfundim e autostradës duke e çuar koston totale në rreth 400 milionë dollarë ose rreth 40 perqind më shumë se sa planifikimi i bërë në vitin 2011 kur nisën punimet nga qeveria Berisha.

Top Channel