Pasagjerët e fluturimit “EK203” të linjës ajrore “Emirates Airline” janë vendosur në karantinë në Aeroportin ndërkombëtar “JFK” të Nju Jorkut, pasi disa prej tyre raportohen të jenë sëmurur në bordin e avionit, siç raportojnë mediet amerikane.
Edhe pse raportimet fillestare flisnin për rreth 100 pasagjerë të sëmurë gjatë fluturimit, “Emirates” konfirmoi se numri aktual i të prekurve është “rreth 10 persona”.
“Emirates mund të konfirmojë se rreth 10 persona në bordin e fluturimit ‘EK203’ nga Dubai drejt Nju Jorkut janë ndierë keq nga ana shëndetësore”, tha një zëdhënës i linjës ajrore me seli në Dubai për “Business Insider”.
“Sapo zbritëm në ‘JFK’ të Nju Jorkut, si masë paraprake vendosëm që ata t’u nënshtroheshin kontrolleve mjekësore nga autoritetet lokale shëndetësore dhe për ata që do të nevojitet kujdes më i specializuar do t’iu ofrohet shërbimi i nevojshëm”.
“Të gjithë pasagjerët e tjerë do të zbresin shumë shpejt. Siguria dhe kujdesi ndaj klientëve tanë ka qenë gjithnjë prioriteti ynë kryesor dhe i panegociueshëm”, shtoi më tej zëdhënësi i “Emirates”.
Ende mbetet e paqartë se çfarë e shkaktoi sëmundjen e papritur të pasagjerëve.
Avioni “Airbus A380” i tipit “Superjumbo” zbriti në Nju Jork në orën 9:18 të mëngjesit të së mërkurës, pas një udhëtimi 14-orësh nga Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga pasagjerët tregonin avionin në një vendndodhje periferike, të rrethuar nga një sërë ambulancash dhe mjete të shërbimeve të emergjencave. Sipas “Reuters”-it, në bordin e tij pati rreth 500 pasagjerë.
Top Channel