E pyesin për marrëdhënien me Bill Clintonin, Lewinsky braktis intervistën

04/09/2018 22:48

Monica Lewinsky ka ndërprerë në mes dhe është larguar nga një intervistë në Izrael, pasi iu bë një pyetje mbi marrëdhënien e saj me ish-presidentin Bill Clinton.

Përmes rrjetit social “Twitter”, ajo shpjegoi arsyen e largimit, për shkak të asaj që ajo e cilësoi si pyetje “tej limiteve”.

Gjithsesi, media izraelite “Channel 2 News” e falënderoi Lewinskyn dhe tha se respektonte “ndjeshmërinë” e saj mbi pyetjen e bërë.

Ish-praktikantja e Shtëpisë së Bardhë e ka thënë prej kohësh se, marrëdhënia e saj me Clintonin ishte “abuzim i rëndë pushteti” nga ana e tij. Lewinsky ishte 22 vjeç kur u përfshi nga një lidhje romantike me ish-presidentin e asaj kohe, plot 27 vite më të madh.

Lewinsky kishte mbajtur një fjalim në Jeruzalem mbi rreziqet dhe anët e mira të internetit dhe medieve sociale. Por, në momentin që asaj iu bë pyetja e papërshtatshme nga prezantuesja e “Channel 2 News”, Levi Yonit, ajo preferoi të ngrihej me qetësi e të largohej nga intervista.

Në një shkrim për “Vanity Fair” të vitit 2017, ajo ishte shprehur se çështja në fjalë kishte bërë që ajo të diagnostikohej me çrregullime stresi posttraumatik, pasi u godit publikisht nga mediet, nga rrjetet “online” dhe nga gjykata.

Në deklaratën e publikuar më vonë në Twitter, ajo tha se intervista në Jeruzalem duhej të ishte një “bisedë në vazhdën e temës së fjalimit të saj, jo një intervistë lajmesh”.

Pavarësisht reagimit të saj, “Channel 2 News” u justifikua se kishte zgjedhur të respektonte vendimin e Lewinskyt, edhe pse “pyetja e bërë ishte legjitime, e denjë dhe respektuese, dhe se në asnjë mënyrë nuk kishte shkuar përtej kërkesave të Lewinskyt”.

Top Channel