Në Gjermani po diskutohet që azilkërkuesit e refuzuar të lejohen të punojnë si emigrantë ekonomikë.

“Për të interesuarit do të përmbushej një ëndërr, – thotë “Deutsche Welle”. – Arsyeja kryesore përse pjesa dërrmuese e azilkërkuesve nga Ballkani mbërrijnë në Gjermani është pikërisht ajo ekonomike”.

Për të frenuar shpërdorimin e azilit për arsye të tilla, në tetor të vitit 2015 Berlini i shpalli Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi si “vende të sigurta të origjinës”. Kjo do të thotë se, kërkesat për azil nga shtetas të këtyre vendeve refuzohen shumë shpejt, mundësisht brenda një jave, si “dukshëm të paargumentuara”.

Që prej atëherë kanë kaluar 3 vite. Një pjesë e madhe azilkërkuesish të refuzuar nga këto shtete janë kthyer në atdhe. Shumë janë kthyer vullnetarisht, të tjerë me detyrim. Por, një pjesë tjetër azilkërkuesish të refuzuar kanë gjetur punë, kanë mësuar gjermanisht dhe mbajnë veten.

Në tërësi janë integruar mirë dhe sot, një në 4 prej tyre punon dhe paguan sigurime sociale. Pikërisht në këtë situatë, qeveria gjermane deklaron se do të hartojë deri në fund të vitit një ligj emigracioni për fuqi punëtore të kualifikuar.

Mungesa e punonjësve të tillë është kaq e ndjeshme, sa mund ta dëmtojë seriozisht ekonominë gjermane, ndaj dhe kthesa e parashikuar shihet si mundësi nga e cila të përfitojnë të gjithë.

Dramatike është mungesa e punonjësve sidomos në profesione si infermieria dhe përkujdesja për të moshuarit. Për 50 mijë vende pune bosh në këtë sektor nuk gjenden dot punonjës, ndaj ministri i ri i Shëndetësisë, Jens Spahn i ka kthyer sytë nga shtete të treta, jashtë Bashkimit Europian, duke deklaruar se potencial të madh fuqie punëtore të re, të kualifikuar sheh në Kosovë e Shqipëri.

Top Channel