Një ditë pas sulmit me armë në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala, Prokuroria e Tiranës ka marrë dëshminë e vetë gazetares në kuadër të hetimeve që kanë nisur për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë.

Për mbi 3 orë, gazetarja Lala ka dhënë dëshminë e saj duke i qëndruar faktit se sulmi me armë mbi banesën e prindërve të saj është bërë për shkak të punës si gazetare, pasi nuk ka asnjë konflikt tjetër, as Lala dhe as familjarët e saj që ndodheshin në banesë në momentin e sulmit.

Banesa e prindërve të gazetares u qëllua me breshëri arme automatike në orët e para të së enjtes. Ky sulm ngjalli panik tek banorët mes të cilëve ishin edhe dy vajzat e gazetares.

Policia deri më tani nuk ka identifikuar asnjë si autor të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Top Channel